KryesoreLajme

Kurti në takim me komandantin Jashari: Rritja e FSK-së është e paparë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është takuar me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për të diskutuar mbi zgjerimin e ushtrisë dhe të arriturat e deritashme.

Kurti ka shkruar në Facebook të martën se buxheti i dyfishuar, armatimi i trefishuar dhe katërfishimi i trajnimeve “është rruga e sigurt drejt NATO-s”.

“Komandanti i FSK-së, Gjeneral lejtnant Bashkim Jashari, ende nuk e ka prekur gjysmën e mandatit, por ngritja dhe rritja e FSK-së është e paparë në këta më pak se dy vjet e gjysmë. Biseduam gjatë mbrëmë për të arriturat e deritashme, gjendjen aktuale dhe sfidat e ardhshme. Forcimi e zgjerimi i ushtrisë sonë me buxhet të dyfishuar, armatim të trefishuar dhe katërfishim të trajnimeve jashtë vendit është rruga e sigurt drejt NATO-s”, thuhet në njoftimin e kryeministrit.

Lexo më shumë  I nominuari i Trumpit për shef të Pentagonit sulmon NATO-n e OKB-në

Qeveria e Kosovës pati njoftuar se në 2023-n buxheti i FSK-së është rritur për 100 për qind, nga 102 milionë euro në 204 milionë.

Ministri Ejup Maqedonci tha se rritja e buxhetit tregon përkushtimin e Qeverisë për mbështetjen e FSK-së.

“Gjatë vitit 2023 kemi pasur rritje të buxhetit për 100%, pra nga 102 milionë sa ishte në vitin 2022, është rritur në 204 milionë në vitin 2023 dhe nga ky buxhet për blerje të sistemit të armatimit janë shpenzuar mbi 115 milionë euro. Kjo tregon përkushtimin që kemi pasur si qeveri në mbështetjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, më saktësisht në blerjen e sistemeve të armatimit të nevojshme për të ngritur kapacitetet e FSK-së. Vlen të theksohet që me mjetet shtesë që kemi marrë vitin e kaluar kemi arritur në vlerën prej 2 për qind të GDP-së, që është standard i pashkruar për vendet e NATO-s. Blerjet planifikojmë që t’i vazhdojmë edhe këtë vit”, ka thënë Maqedonci muaj më parë.

Lexo më shumë  Pesë vjet nga tërmeti në Shqipëri ku humbën jetën 51 persona

Rruga Press

YouTube player