Lajme

Kurti: Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka lavdëruar raportet e Kosovës me Turqinë pas takimit që ka pasur në Stamboll me presidentin Recep Tayyip Erdogan. Në konferencën për media pas darkës së punës, Kurti ka deklaruar se “në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”.

“Është kënaqësi e veçantë që me ftesë të presidentit Erdogan ndodhem sot në qytetin historik të Stambollit – kryeqendër e dy perandorive, kryqëzim civilizimesh e kulturash, pikëtakim vlerash. Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti prishtinas i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe i popullit tonë. Për ne Samiu është ndër etërit e rilindjes sonë kombëtare, për popullin turk konsiderohet prej themeltarëve të intelektualizmit modern. I po kësaj vije është edhe Hasan Tahsini, rektori i parë shqiptar i Universitetit të Stambollit, ku student ishte Hasan Prishtina, emrin e të cilit e mban sot Universiteti i Prishtinës. Në Stamboll nis një pjesë e mirë e zgjimit tonë kombëtar”, ka thënë Kurti duke shtuar se pikërisht në Stamboll sot është diskutuar për “raportet miqësore që kemi dhe si mund t’i thellojmë e forcojmë me vullnetin e dyanshëm”.

Lexo më shumë  “Duam paratë tona”, gjermanët dhe italianët e mashtruar nga Forex hapin gjyqe në Shqipëri

“Folëm për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, të sigurisë e të mbrojtjes, për zhvillimet në rajon e më gjerë. Jemi mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë më 1999 për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë, dhe mbështetjen e plotë të pakursyer në politikën e jashtme. E falënderova për përkrahjen e zëshme në anëtarësim në NATO dhe në Këshill të Evropës”, ka deklaruar tutje Kurti.

Kurti tutje ka thënë se Qeveria po synon të krijojë mjedis për të tërhequr investitorë të huaj.

“Turqia është ndër partneret tona kryesore ekonomike e tregtare, na gëzon kjo, por s’mjafton. Ta shfrytëzojmë aktualitetin e bashkëpunimit për të arritur potencialin e madh të tij”, ka shtuar ai.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *