Kurti në Obiliq: Ashtu siç është shtëpia për familjen, është edhe shteti për popullin
Në Obiliq, në qytetin e pasurive nëntokësore, që sonte ishte i pasur me plot zemra në palestrën e sporteve, u mbajt tubimi madhështor i Lëvizjes Vetëvendosje
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u shpreh se ashtu siç është shtëpia për familjen, është edhe shteti për popullin. Ai theksoi se si qeveri kemi zhvilluar ekonominë dhe kemi mbrojtur sovranitetin e Republikës cep më cep territorit.
Kandidati për deputet nga ky qytet, z. Halil Thaçi, theksoi se gjatë katër viteve në qeverisje është punuar në punësim, barazi, zhvillim dhe sovranitet. Ai kërkoi që Kastrioti t’i bashkohet 500 mijë zemrave më 9 shkurt, në mënyrë që të vazhdojë zhvillimi ekonomik, të forcohet arsimi dhe të vazhdojë betonizimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës cep më cep.
Ministrja Albulena Haxhiu u shpreh se gjatë këtyre ditëve kemi qenë cep më cep Kosovës dhe se asnjëherë nuk kemi pasur mbështetje më të madhe e tubime më madhështore. Ajo tha se ish-pushtetarët, kur ishin në pushtet, deklaronin diçka tjetër e bënin diçka krejt tjetër, ndërsa për emërues të përbashkët e kishin vetëm interesin personal. “Ata përgjigjen do ta marrin më 9 shkurt,” theksoi ajo, “ditën kur 500 mijë zemra do të bashkohen për ta votuar Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe Albin Kurtin për kryeministër.”
Qeveria e Kosovës ka investuar në KEK dhe në komunën e Kastriotit. Kryeministri Kurti kujtoi punësimet që janë bërë, duke vënë theksin te banorët e Kastriotit, sidomos gratë dhe vajzat në sektorin e energjisë.
“Vetëm për dy vjet, KEK-ut ia kemi shtuar 745 punëtorë të rinj. E prej këtyre 745 punëtorëve të rinj, mbi 400 janë banorë të Kastriotit; pra, më shumë se gjysma e të punësuarve të rinj në KEK janë nga komuna juaj e dashur. Ky nuk është favorizim, kjo është drejtësi, është meritë. Kush më mirë se banorët e Kastriotit e njeh KEK-un dhe terrenin e tij? Kush punon me më shumë zell për KEK-un sesa banorët e Kastriotit? Askush.
44 gra, ose 22% e të gjitha grave që punojnë sot në KEK, janë punësuar gjatë mandatit tonë qeverisës. Ndërkaq, në mandatin e ri do të kemi programe të reja, posaçërisht për gra e vajza, për punësim në sektorin e energjisë dhe në KEK. Ne punësojmë në KEK, sepse ne investojmë në KEK.”
Në fund, Kryeministri Kurti bëri thirrje që, përveç votës personale, të angazhohemi e t’i ftojmë edhe familjarët, miqtë dhe kolegët e punës që t’i bashkohen votimit të numrit 118 dhe fitores madhështore të 500 mijë zemrave, cep më cep Kosovës, më 9 shkurt të këtij viti.
Rruga Press