KryesoreLajme

Kurti në IKKL: Këtu gjendet arkiva e gjenocidit të Serbisë dhe dokumentimi gjigand i spastrimit etnik

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi të hënën Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, ku u prit nga drejtori ekzekutiv, Atdhe Hetemi.

Gjatë vizitës, Kurti vlerësoi punën e institutit në dokumentimin e krimeve të luftës, spastrimit etnik dhe shkeljeve sistematike të të drejtave të njeriut, duke theksuar se roli i arkivave është thelbësor për kujtesën kolektive dhe zbardhjen e së vërtetës historike.

“E falënderoj drejtorin Atdhe Hetemin për mikpritjen dhe për raportin e tij të vitit të dytë. Është mbresëlënëse sa shumë angazhim ka ky institut. Kur kam ardhur para një viti, me rastin e vitit të parë të punës, kanë qenë 23 të punësuar, tashmë janë 39. Pamë nga afër arkivat dhe zyrat që punojnë në të gjitha aspektet, të cilat janë jetike për ardhmërinë e Kosovës. Ky institut është vendimtar për kujtesën kolektive dhe për zbardhjen e plotë të së vërtetës historike. Nga 67 burime tashmë kanë 650 nga 14 shtete – një punë gjigande që po bëhet”, tha Kurti.

Lexo më shumë  Maqedonci dhe Helez diskutojnë forcimin e sigurisë rajonale në Sarajevë

Ai shtoi se në këtë institut mund të gjenden dokumentime të rëndësishme mbi gjenocidin e Serbisë, spastrimin etnik, shkeljet e të drejtave të njeriut dhe dëmet e shkaktuara ndaj njerëzve, ekonomisë dhe trashëgimisë kulturore.

Nga ana tjetër, drejtori i institutit, Atdhe Hetemi, deklaroi se prezantimi i sotëm nuk ishte vetëm raport pune, por edhe pasqyrë e progresit në fushën e kujtesës kolektive dhe dokumentimit të krimeve të luftës.

“Është nder që të prezantojmë arritjet tona si institucion. Ky nuk ishte vetëm raport i punës, por edhe i progresit në dokumentimin e krimeve të luftës. Kërkesat për shtimin e stafit janë përmbushur, duke reflektuar rritjen e kapaciteteve të institucionit”, tha Hetemi.

Lexo më shumë  Prebreza betohet si Kryetar i Fushë-Kosovës: Premton transparencë dhe shërbim për të gjithë qytetarë

Ndërkohë, para mediave, kryeministri në detyrë foli edhe për situatën politike në vend, duke deklaruar se nuk e rekomandon mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

“Ka ngelur edhe 10 ditë. Mandati i është dhënë nga presidentja Osmani z. Konjufca, dhe ne urojmë për më të mirën. Ritheksojmë se nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje në dhjetor dhe sërish në prill. Deputetët janë para dy opsioneve: ose ‘Kurti 2.5’ deri në dhjetor, ose ‘Konjufca 1’ deri në prill. Duhet të përcaktohet njërra prej tyre”, tha Kurti. /EO/

YouTube player