Kurti në forumin ekonomik “Connect 2022” flet për mundësinë për investime në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ditën e parë të qëndrimit të tij në Shtutgart të Gjermanisë, ka marr pjesë në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik Global “Connect 2022”.
Sipas një njoftimi të zyrës për media të Qeverisë, në fjalën e tij në këtë forum, Kurti ka folur për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj dhe vlerat që ndanë me Bashkimin Evropian.
“Ai tha se vendi ynë ka një qeveri demokratike dhe institucione të qëndrueshme që përbëjnë bazë të favorshme për investitorë që synojnë investime të qëndrueshme dhe kthim të tyre. Si një nga përparësitë e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti e veçoi kapitalin njerëzor. Me 2/3 e popullatës nën moshën 35 vjeçare, fuqi punëtore të talentuar dhe të motivuar dhe që flet gjuhë të huaja, Kosova paraqet një mundësi shumë të mirë për bizneset gjermane. Me këtë rast, ai u bëri ftesë përfaqësuesve të bizneseve që të vizitojnë Kosovën”, thuhet në njoftim.
Duke iu referuar raporteve ndërkombëtare si ai i Transparency International, Reporterët pa Kufij dhe Projekti i Drejtësisë Botërore dhe indikatorëve ekonomikë, kryeministri Kurti, citohet të ketë thënë, se “qeverisja e mirë, sundimi i ligjit dhe rritja ekonomike janë prioritete të dëshmuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës”.
Sipas njoftimit, Kurti ka vizituar edhe shtandin e Kosovës në këtë forum.
“Global Connect” është një forum ekonomik për eksport dhe ndërkombëtarizimin e ndërmarrjeve në Gjermani, të cilat janë të interesuara për zgjerimin e veprimtarisë së tyre kryesisht jashtë vendit.
Ai është forumi i vetëm i këtij formati në Gjermani dhe ofron mundësinë e ndërlidhjes së afaristëve dhe krijimin e kontakteve të reja.
Rruga Press