KryesoreLajme

Kurti nderon policët e rënë në detyrë: Zymberi e Bunjaku dhanë jetën për sovranitetin shtetëror

Me rastin e Ditës Memoriale dhe 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymberi, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe pranë Lapidarit të Policëve të rënë në detyrë. Në ceremoninë përkujtimore, Kurti ishte i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij si dhe drejtues të lartë të Policisë së Kosovës.

Në fjalën e tij, Kurti tha se “sot bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë – 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001, e deri së fundmi te Muhamet Lika në vitin 2025”.

Ai theksoi se heronjtë Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku janë simbole të sakrificës për mbrojtjen e Republikës:

“Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymberin dhe po ashtu Afrim Bunjakun që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës.”

Kurti shtoi se kjo ditë është e lidhur ngushtë me rënien heroike të Zymberit më 26 korrik 2011.

“Me ç’rast kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë.”

Duke e përshkruar Policinë e Kosovës si një trupë multietnike, Kurti kujtoi edhe një nga sfidat më të mëdha në funksionimin e saj: dorëheqjet kolektive të 541 policëve serbë në nëntor të vitit 2022.

“Policia e Kosovës është një forcë multietnike e cila u sulmua shpesh, mirëpo gjithnjë doli fitimtare. E një ndër sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022 ku kishim 541 policë në uniformë nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht.”

Sipas tij, megjithatë situata ka njohur përmirësim:

“Në vazhdimësi kemi kadetë të rinj nga gjenerata në gjeneratë të cilët po shtohen. Vetëm nga komuniteti serb kemi rreth 200 pjesëtarë që nga dorëheqjet e tyre që i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës dhe krah për krah me shqiptarët të uniformuar dhe të tjerë që i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë.”

Përveç kryeministrit, në homazhe morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci. Gjithashtu, i pranishëm ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, me pjesëtarë të tjerë të lartë të institucionit.

Lexo më shumë  Kurti: 3.5 milionë euro investime për qendrat kulturore në Rahovec dhe Mamushë
YouTube player