Kurti merr pjesë në ceremoninë e përurimit e renovimeve në Klinikën e Onkologjisë: Është shtuar buxheti për blerjen e barnave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përurimin e renovimeve të Klinikës së Onkologjisë ka thënë se janë bërë renovime substanciale prej rreth 600 mijë eurosh në këtë klinikë.
Sipas tij, bashkë me renovimin është shtuar edhe numri i shtretërve.
Ai ka thënë se është shtuar edhe buxheti për blerjen e barnave.
“Pata kënaqësinë të vizitojë klinikën e Onkologjisë në të cilën kemi një investim substancial prej rreth 600 mijë euro që e ka transformuar në mënyrë domethënëse klinikën. I kanë pasur 45 shtretër tash i kanë 60 shtretër. Lista e pritjes është zero në radioterapi. Përveç kësaj unë jam i lumtur që mora vesh që procesi i dhënies së vaksinës për sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës është duke shkuar mirë. Në të njëjtën kohë, lista e barnave esenciale është zgjeruar. Në përgjithësi në Kosovë, qytetarët që bëhen pacientë, blejnë rreth 120 milionë euro barna. Tash i bie se gjysmën e kostos e paguan shteti, e gjysmën pacienti”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga dy rezonanca magnetike që kanë qenë për 20 vjet, tash janë edhe tri të reja.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se nuk do të ketë listë të pritjes në radioterapi.
Sipas tij, tash e tutje pacientët do të marrin trajtim më cilësor.
“Uroj që sa më pak të ketë sëmundje të tilla, por ata që kanë nevojë do t’i marrin shërbimet sa më cilësore të mundshme”, ka thënë ai.
Rruga Press