Kurti: Me Taulant Kelmendin Peja do të bëhet qytet funksional
Lëvizja Vetëvendosje mbajti tubim përmbyllës në Pejë. Përfaqësuesit e kësaj partie thanë se këtij qyteti i duhet dikush që problemet e qytetarëve i trajton me seriozitet dhe gjen zgjidhje konkrete për to.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, duke kërkuar besimin e qytetarëve për kandidatin për kryetar Taulant Kelmendi, tha se Peja do të kthehet në shembull të qytetit me rregull, ku fshati ka infrastrukturë, rinia ka hapësirë dhe biznesi gjen përkrahje.
“Me Taulantin kryetar dhe qeverisjen e VV, Peja do të bëhet qytet funksional ku shërbimet themelore janë të garantuara për secilin, uji i pijshëm, pastrimi i rrugëve, menaxhimi i mbeturinave dhe qarkullimi i sigurt nuk janë lluks, por shërbime bazë. Bashkë do të angazhohemi për ujë në secilin fshat, për semaforë e rrugë të reja për lëvizje të lirë dhe për trafik urban,” tha Kurti.
Kandidati për kryetar, Taulant Kelmendi, u zotua se do të përmbushë programin e tij të paraqitur deri më tani, duke ofruar kushte më të mira për qytetarët e kësaj komune, në infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
“Na mbështetët, na dëgjuat dhe na treguat hallet dhe ëndrrat për qytetin tuaj. Përmes programit tonë, që u njoftuam për së afërmi këto javë, treguam se Pejën do ta bëjmë qytet të mirëqenies, qytet të nënave, të fëmijëve dhe gjyshërve, të rinisë dhe profesionistëve, të sportistëve… do ta bëjmë qytet të jetës dhe jo të ikjes,” tha Kelmendi.
Kelmendi premtoi se prona publike në Pejë do të mbrohet si interes dhe pasuri për të gjithë, ndërsa për ndërtimet e larta do të ketë kritere të caktuara, e për investitorët e turizmit do të ketë lehtësime.
Rruga Press

