KryesoreLajme

Kurti: Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar 25 vjetorin e rrëmbimit të katër djemve të Ferdonije Qerkezit.

Me anë të një postimi në Facebook, ai tha se shtëpia e familjes Qerkezi dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

“Në rrugën “Martirët Qerkezi”, në shtëpinë-muze qëndron Nëna Ferdonije. Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës. Shtëpia e familjes Qerkezi dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.”, ka shkruar Kurti.

Lexo më shumë  SPAK: Kupola e AKSHI-t dhe Ergys Agasi grup i strukturuar kriminal

“Nga aty, 25 vite më parë, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen dhe zhdukën të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Nga ajo shtëpi u rrëmbyen edhe Vegim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, Skender e Myrteza Dylhasi, dhe Shpend e Fatos Jetishi.”, shkroi mes të tjerash kryeministri.

Po ashtu ai kujtoi edhe 25 vjetorin e masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ku siç tha ai, forcat e armatosura serbe masakruan 40 civilë shqiptarë.

“Ne i kujtojmë çdoherë e nuk do t’i harrojmë kurrë. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë edhe 75 të vrarët në masakrën në Klladernicë të Skënderajt, 18 të vrarët në Mamushë, dhe 10 anëtarët e familjes Rama të vrarë në Obiliq. Sot, në Fushë Kosovë përkujtohen 168 shqiptarët e vrarë nga forcat e armatosura serbe.”, tha mes të tjerash ai.

Lexo më shumë  Nga UÇK-ja tek Ushtria: Rrugëtimi i FSK-së drejt forcës moderne

“Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia. Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë.”, u shpreh kryeministri.

“Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për ҫlirimin e Kosovës!”, përfundoi ai.

Rruga Press

YouTube player