Kurti: Me Halil Thaçin në krye, Obiliqi do të ketë zhvillim të pastër e drejtësi për qytetarët
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, ka shprehur mbështetjen e plotë për kandidatin e kësaj lëvizjeje për Komunën e Obiliqit, Halil Thaçin, duke theksuar se “fazë të re e kapitull të ri nuk mund të ketë me kryetar të vjetër”.
Kurti tha se Vetëvendosje do të sjellë qeverisje lokale që plotëson politikat qendrore, duke investuar në arsim, shëndetësi, bujqësi dhe infrastrukturë. Ai premtoi ndërtimin e shkollave e çerdheve të reja, mësim gjithëditor, QKMF moderne, si dhe subvencione vjetore prej 1 milion euro për fermerët e Obiliqit.
Sipas Kurtit, në katër vitet e fundit nga niveli qendror janë bërë ndryshime të mëdha që kanë prekur drejtpërdrejt qytetarët e Obiliqit, përfshirë punësimin e mbi 400 banorëve të kësaj komune në KEK. Ai përmendi edhe projektin e madh të kogjenerimit me vlerë 59 milionë euro, që sipas tij do të përfundojë me efikasitet nën qeverisjen e Halil Thaçit.
“Halil Thaçi është garancia që zhvillimi i Obiliqit do të ketë fytyrë të ndershme dhe duar të pastra. Kjo komunë meriton zhvillim të pastër, e jo korrupsion të ricikluar,” u shpreh Kurti.
Rruga Press

