Kurti: Më 14 shkurt 2021, ndodhi përmbysja më e madhe politike e demokratike në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë foli për 3 vjetorin e fitores së LVV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021.
Kurti tha se 14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitore elektorale, por është moment i përmbysjes më të madhe politike e demokratike në Kosovën e pas luftës
“Është revolucioni elektoral ku ngadhënjeu mirëqeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminim dhe interesi i përbashkët e publik mbi atë personal e privat”, tha Kurti.
Kryeministri u shpreh se për këto 3 vite të qeverisjes dëshmuan se mund të qeveriset me duar të pastra.
“Për këto 3 vite dëshmuam se është e mundur të qeveriset me duar të pastra, duke ruajtur e mbrojtur vendin, kushtetutshmërinë e ligjshmërinë dhe paqen e sigurinë”, tha Kurti.
Kurti tha se qeveria në këto tri vite ka investuar më shumë se gjitha qeveritë e kaluara në FSK, duke e bërë një forcë serioze në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së vendit tonë.
“Nuk shënohet vetëm dita e dashurisë ndaj njerëzve të dashur, por shënohet edhe dita e dashurisë dhe përkushtimit ndaj Republikës tonë.14 shkurti për Kosovën është dita e dashurisë ndaj vlerave dhe interesit të përbashkët”, u shpreh Kurti.
Rruga Press