KryesoreLajme

Kurti kushtëzon kthimin në dialog me dorëzimin e Radoiçiqit

Për t’u kthyer në dialog, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Në një intervistë për “Bloomberg”, Kurti i kërkoi Bashkimit Evropian të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me marrëveshjen për normalizim.

“Duhej të ndodhte dje”, ka thënë Kurti për “Bloomberg” të mërkurën, intervistë e cila u publikua sot. “Unë besoj se është e mundur”.

Kurti e presidenti serb Aleksandar Vuçiq për herë të fundit kanë pasur takim bilateral në shtator të vitit 2023. 

Tutje në intervistë, Kurti ka theksuar se kritikat e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për trajtimin që po i bën komunitetit serb janë të tepërta.

Vendimet e Qeverisë së Kosovës për të mbyllur institucionet e mbështetua nga Serbia në veri dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit kanë nxitur paralajmërime nga BE-ja dhe SHBA-ja se veprimet mund të përbëjnë kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

“Ata janë shumë të shqetësuar. Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më e mirë se kurrë më parë”, ka deklaruar Kurti.

Kurti mbrojti veprimet e fundit të Qeverisë në veri, duke i cilësuar si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin. Ai këmbënguli se veprimet janë të nevojshme për vendosjen e kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.

“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, ka thënë ai.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb për t’u larguar nga Kosova. Vuçiqi kërkoi gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë autonomie.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Muajin e kaluar, Vuçiqi i kërkoi Qeverisë në Prishtinë që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore. Ideja është dështuese për Kurtin. Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve komunale në vjeshtën e vitit të ardhshëm, sipas kryeministrit të Kosovës.

“Vuçiq dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, ka potencuar Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka pasur ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të diskriminimit të supozuar dhe që atëherë kanë bojkotuar dy palë zgjedhje.

YouTube player