KryesoreLajme

Kurti: Kosova ka arritur të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti

“Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për të dhënë një lajm, por së bashku po hapim një kapitull të ri për sportet elektronike në vendin tonë. Kosova, vendi i rinisë, i teknologjisë dhe i inovacionit, përmes angazhimit të secilit prej jush, ka arritur një sukses të madh – të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti.” kështu u shpreh kryeministri Kurti në hapjen e ngjarjes së organizuar në Prishtina Tech Park, duke njoftuar për organizimin e Kampionatit Evropian të Esports në Kosovë.

Në këtë ngjarje kryeministri Kurti mori pjesë bashkë edhe me zëvendësministren e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

“Ky kampionat do të sjellë në Prishtinë Counter-Strike 2 dhe Dota 2, me mbi 250 garues nga 45 shtete. Këtu, në zemër të Kosovës, do të kemi lojtarët më të mirë nga e gjithë Evropa, të cilët deri dje i kemi parë vetëm nëpër ekranet tona, e tani do t’i shohim live duke garuar në vendin tonë.” tha kryeministri Kurti, duke shtuar se kjo ngjarje e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është rezultat i angazhimit edhe të përbashkët, edhe të fuqishëm, edhe të vazhdueshëm.

Më tej, ai shprehu se Kosova nuk është vetëm nikoqire e mirë, por edhe lojtare e fortë. “Ne tashmë kemi treguar se dimë të luajmë në ligën e të mëdhenjve –  me Bad News Eagles që kanë bërë histori me tri pjesëmarrje në Major, dhe përfaqësuesen e Kosovës në Dota 2, që arriti në Top 3-she në Kampionatin Botëror 2021.”

Në përfundim të fjalës së tij, kryeministri tha se “Përveçse tri arsyeve pse kjo është ngjarje e madhe për vendin tonë, po jap edhe tri porosi të thjeshta: Për lojtarët – vazhdoni të stërviteni dhe të përmirësoheni. Ju jeni e ardhmja e Esports-it në Kosovë por njëkohësisht edhe ambasadorët tanë në arenën ndërkombëtare. Për komunitetin – vazhdoni të mbështesni dhe ta frymëzoni këtë skenë, dhe për organizatorët – keni mbështetjen tonë të plotë dhe ju dëshiroj shumë suksese.”

Lexo më shumë  S’mjafton as për mbijetesë, të moshuarit në Shqipëri nuk duan bonuese, por rritje pensioni

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara zëvendësministre në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani,

I nderuari sekretar i Federatës Evropiane të Esports, Boban Totovski,

I nderuari kryetar i Federatës Esports të Kosovës, Altin Preniqi,

Të nderuar gamers dhe fansa të e-sports,

Shumë të dashur anëtarë të ekipit të ri-bashkuar Bad News Eagles,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Sot nuk jemi mbledhur këtu vetëm për të dhënë një lajm, por së bashku po hapim një kapitull të ri për sportet elektronike në vendin tonë.

Kosova, vendi i rinisë, i teknologjisë dhe i inovacionit, përmes angazhimit të secilit prej jush, ka arritur një sukses të madh – të drejtën për të organizuar Kampionatin Evropian të Esports përgjatë këtij viti.

Ky kampionat do të sjellë në Prishtinë Counter-Strike 2 dhe Dota 2, me mbi 250 garues nga 45 shtete. Këtu, në zemër të Kosovës, do të kemi lojtarët më të mirë nga e gjithë Evropa, të cilët deri dje i kemi parë vetëm nëpër ekranet tona, e tani do t’i shohim live duke garuar në vendin tonë.

Pra, ndryshe nga emri i ekipit tonë ikonik “Bad News Eagles” – sot kemi vetëm “Good News”.

Kjo ngjarje historike e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është rezultat i angazhimit tuaj edhe të përbashkët, edhe të fuqishëm, edhe të vazhdueshëm.

Mos të harrojmë – Kosova nuk është vetëm nikoqire e mirë, por edhe lojtare e fortë. Ne tashmë kemi treguar se dimë të luajmë në ligën e të mëdhenjve –  me Bad News Eagles që kanë bërë histori me tre pjesëmarrje në Major, dhe përfaqësuesen e Kosovës në Dota 2, që arriti në Top 3-she në Kampionatin Botëror 2021.

Janë tre arsye kryesore pse kjo është një gjë kaq e madhe për Kosovën. E para, në çdo sport ka skuadra të mëdha – edhe Esports nuk bën përjashtim. Me Bad News Eagles dhe lojtarë të tjerë të talentuar, po i tregojmë Evropës që ne luajmë në nivelin më të lartë. Kosova nuk është thjesht shikuese, por një konkurruese e denjë në skenën globale të Esports-it.

Lexo më shumë  Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Evropë

Arsyeja e dytë është se Esports nuk është më vetëm hobi – është edhe një industri multi-milionëshe. Dhe Kosova e ka vendin e saj në këtë industri. Me këtë kampionat, ne po hapim dyert për talentët tanë dhe po krijojmë mundësi të reja për të gjithë ata të cilët duan në të ardhmen të bëjnë karrierë në Esports.

Dhe, e treta arsye, është që Esports përveçse nuk është vetëm hobi, nuk është as vetëm lojë, është edhe mënyrë për ta menaxhuar më mirë kohën dhe rrugën se si rinia jonë e përdor teknologjinë. Në këtë kohë kur po shqetësohemi për përdorimin e tepërt të telefonave dhe rrjeteve sociale, Esports na jep mundësinë ta kthejmë këtë kohë në diçka produktive – në angazhim që ka rregulla, që ka disiplinë, që ka punë ekipore dhe mund të shndërrohet në karrierë. Përmes investimit në këtë fushë, ne jo vetëm që po krijojmë bashkë mundësi të reja për rininë tonë në veçanti, por po ndihmojmë edhe në edukimin dhe menaxhimin e shëndetshëm të përdorimit të teknologjisë.

E përveçse tri arsyeve pse kjo është ngjarje e madhe për vendin tonë, po jap edhe tri porosi të thjeshta;

Për lojtarët– vazhdoni të stërviteni dhe të përmirësoheni. Ju jeni e ardhmja e Esports-it në Kosovë por njëkohësisht edhe ambasadorët tanë në arenën ndërkombëtare. Për komunitetin– vazhdoni të mbështesni dhe ta frymëzoni këtë skenë, dhe për organizatorët– keni mbështetjen tonë të plotë dhe ju dëshiroj shumë suksese.

Së bashku do të vazhdojmë të rritemi, të zhvillohemi dhe t’i tregojmë botës se Kosova është një vend që e ka për zemër avancimin e sporteve dhe përparimin e rinisë.

Ju faleminderit, shumë suksese dhe shihemi në Kampionatin Evropian të Esports!

Rruga Press

YouTube player