Kurti: Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie të veçantë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie të veçantë e cila e tejkalon diplomacinë dhe është e pasuruar nga lidhjet e thella njerëzore.
“Për shumë shqiptarë, Zvicra është shtëpia e dytë dhe për gjeneratën e dytë dhe të tretë të shqiptarëve atje, është shtëpia e tyre dhe vendi ku ata ndërtojnë shpresave dhe ëndrrat e tyre, shtoi më tej”, tha ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.
I nderuar dhe falënderues për ftesën në këtë diskutim, kryeministri që në fillim të fjalës së tij tha se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie të veçantë e cila e tejkalon diplomacinë dhe është e pasuruar nga lidhjet e thella njerëzore. Për shumë shqiptarë, Zvicra është shtëpia e dytë dhe për gjeneratën e dytë dhe të tretë të shqiptarëve atje, është shtëpia e tyre dhe vendi ku ata ndërtojnë shpresave dhe ëndrrat e tyre, shtoi më tej.
Ai foli për progresin e vendit viteve të fundit në rrafshin ekonomik, masat e punësimit dhe uljen e papunësisë nga 25.8% në 10.7%, për përparimin e bërë në luftimin e korrupsionit dhe vendosjen e sundimit të ligjit, dhe përmirësimin në respektimin e të lirive civile dhe të drejtave politike.
Në adresimin e tij fillestar, kryeministri Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ai elaboroi zhvillimet në këtë proces, refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Brnabiç dërguar Bashkimit Evropian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen e rreziqeve nga zgjerimi i ndikimit ekonomik dhe politik të Rusisë dhe Kinës në rajon. Me këtë rast, kryeministri theksoi se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore që të mbesin të ankoruar në bashkësinë Evropiane të vlerave, dhe se ky angazhim nuk është vetëm për rritje ekonomike – por ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirinë.
“Unë e parashoh një Evropë ku Ballkani Perëndimor është plotësisht i integruar, jo vetëm ekonomikisht por edhe kulturalisht si dhe në aspektin shoqëror. Një Evropë mjaftueshëm e fortë për t’i rezistuar presioneve të jashtme, në mbrojtje të të gjithë qytetarëve të saj. Një Evropë ku të rinjtë tanë shohin një të ardhme në të cilën mund të besojnë dhe ku mund të përmbushin ëndrrat e tyre. Vitet në vijim do të jenë vendimtare në përcaktimin e ritmit të integrimit në BE”, u shpreh kryeministri.
Strategjia e Politikës së Jashtme të Zvicrës 2024-2027 reflekton shumë nga vlerat dhe objektivat që ka edhe Kosova, theksoi kryeministri. Ruajtja e sigurisë, prosperitetit dhe pavarësisë përball kushteve sfiduese globale, prioritizimi i mbështetjes për një Evropë të qëndrueshme, promovimi i multilateralizmit dhe ndjekja e një politike aktive paqësore – janë parime që përputhen me vizionin tonë për Ballkanin Perëndimor, veçoi kryeministri në adresimin e tij.
Ai bëri thirrje që Zvicra të vazhdojë të mbështesë Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe bashkëpunime multilaterale, që për shtete si ne janë esenciale për të arritur qëllimet ekonomike dhe të sigurisë. Kryeministri gjithashtu shprehu falënderimin e tij ndaj gjithë atyre që kanë avokuar dhe vazhdojnë të avokojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata në të cilat nuk është ende anëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO.
Rruga Press