Kurti kërkon mbështetjen e Islandës për aderimin e Kosovës në NATO
Qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, vijoi me takimin e radhës me kryeministrin e Islandës, Bjarni Benediktsson, transmeton KosovaPost.
Sipas njoftimit nga ekzekutivi, në takim u biseduan mbi rëndësinë e zhvillimit edhe më tej të marrëdhënieve bilaterale përmes rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, në kuadër edhe të EFTA-s, si një platformë e mirë për bashkëpunim konkret ekonomik.
“Kryeministri Kurti e falënderoi shtetin e Islandës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur ndaj Kosovës në etapat shtetndërtuese. Gjithashtu shprehu mirënjohjen për përkrahjen mbi liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës.
Duke shprehur orientimin pro perëndimor të Republikës së Kosovës dhe qëllimin kyç të vendit për anëtarësim në NATO, ku Islanda është edhe një nga anëtaret themeluese, kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Islandës për aderimin në këtë organizatë”,thuhet në njoftim.
Gjithashtu gjatë takimit u bisedua dhe për mbështetjen në rihapjen e hapësirës së ulët ajrore, e ku kryeministri kërkoi po ashtu edhe përkrahjen e Islandës për anëtarësimin tonë në organizata si ICAO, EASA dhe Eurocontrol.
Teksa theksoi edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit të dyanshëm, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për takimin dhe bisedën e frytshme.
Rruga Press