Kurti: Kemi bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim një delegacion nga Federata e Paqes Universale.
Në takim Kurti ka folur për angazhimin në një vit qeverisje për zhvillimin e ekonomisë, sundimin e ligjit dhe reformat në sistemin e drejtësisë.
Sipas njoftimit nga një komunikatë për media, Kurti ka thënë se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik vitin e kaluar.
“Në vitin e parë në detyrë, kemi arritur rritje ekonomike prej 10,53%, me një rritje prej 83,6% të eksporteve, një rritje prej 21% të Investimeve të Huaja Direkte, një rritje prej 30% të të hyrave buxhetore, 31% rritje të taksave të arkëtuara dhe 34% rritje të të ardhurave nga tatimet. E gjithë kjo pa ndryshuar politikën fiskale”, ka thënë ai.
Duke treguar për punën rreth avancimit të politikave sociale, Kurti citohet se ka përmendur rritjen e pensioneve për 11 për qind, rritjen për 33 për qind të asistencës për personat me aftësi të kufizuara, ndarjen e fondeve në mbështetje për nënat e reja dhe foshnjat e të tjera.
“Biseduan për Samitin Botëror 2022 që temë kryesore kishte paqen në Gadishullin Korean. Samiti ku ishte i ftuar edhe kryeministri Kurti u mbajt më 15 shkurt në Seul të Koresë Jugore. Kryeministri Kurti iu pati drejtuar të pranishmëve nëpërmjet një videoincizimi, ku ndër të tjera theksonte që për paqe të qëndrueshme, të gjithë duhet të bëjnë pjesën e vet kudo që janë. Përfaqësuesit e falënderuan kryeministrin për kontributin në samit dhe për angazhimin për paqen në përgjithësi. Në takim u diskutua për mundësitë e organizimit në Kosovë të një konference ndërkombëtare për paqe. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e promovimit të paqes dhe sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor pas agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, që ka shtuar rrezikun nga ndikimi i Rusisë dhe synimi i saj për destabilizim të rajonit”, thuhet në njoftim.
Rruga Press