KryesoreLajme

Kurti: KEK në transformim historik, mbi 500 milionë euro investime dhe kapacitete të reja energjetike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ndodhet në një moment historik transformimi, me investime që tejkalojnë vlerën e 500 milionë eurove, me synim modernizimin, qëndrueshmërinë dhe përafrimin e plotë me standardet e Bashkimit Evropian.

Sipas Kurtit, projektet përfshijnë modernizimin e turbinave dhe investime të tjera në njësitë B1 dhe B2, rehabilitimin e thellë të njësisë A3, investime madhore në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, si dhe hyrjen për herë të parë të KEK-ut në sektorin e energjisë së ripërtrishme përmes ndërtimit të një parku solar.

Lexo më shumë  Majlinda e kërkuar edhe si trajnere, refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe, ka vendosur që të punojë në Kosovë

Ai theksoi se këto investime janë kyçe për sigurinë energjetike të vendit, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin afatgjatë. Me përfundimin e projekteve, Kosovës pritet t’i shtohen rreth 150 megavat kapacitete shtesë në termocentralet ekzistuese dhe 100 megavat kapacitete të reja gjeneruese nga burimet e ripërtrishme.

Kryeministri bëri të ditur se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, KEK-u po operon me kapacitet maksimal, me pesë njësi gjeneruese aktive, për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike gjatë ditëve të ftohta të fundvitit dhe fillimvitit, kur konsumi është i lartë.

Në fund, Kurti falënderoi punonjësit dhe menaxhmentin e KEK-ut për profesionalizmin, si dhe Bordin e Drejtorëve dhe Ministrinë e Ekonomisë për mbikëqyrjen dhe përkrahjen në realizimin e këtyre projekteve.

“KEK-u sot po forcon themelet e energjisë së së ardhmes – një KEK më i fortë, më modern, më i sigurt dhe më i gjelbër, në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe brezave që vijnë”, ka përfunduar Kryeministri Kurti.

Rruga Press

YouTube player