Kurti inkurajon qytetarët të dalin të votojnë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Pas ushtrimit të drejtës së votimit, Kurti ka inkurajuar qytetarët që të dalin të votojnë sa më masivisht. Ndërsa ai ka thënë se Qeveria do të punojë në fuqizimin e komunave.
“Si qytetar i Republikës dhe si banor i kryeqytetit, porsa ushtrova të drejtën për të votuar në këto zgjedhje të lira e demokratike. Qytetarët e Republikës së Kosovës anembanë komunave të shtetit tonë, sot vendosin se kush do të vendosë. Përcaktohen kush do të jenë udhëheqjet e përfaqësuesit e tyre. I inkurajoj gjithë qytetarët, pa dallim prejardhje, përkatësie apo pasurie, që të shfrytëzojnë këtë moment barazie, t’i përdorin mundësitë e barabarta që i kanë sot. Si kryeministër i Republikës së Kosovës, unë bashkë me Qeverinë, do të punojë e bashkëpunojë shumë ngushtë në fuqizimin e komunave. Katër vjet të mbara e të mira i presin qytetarët e Republikës së Kosovës, anekënd Kosovës në të gjitha komunat ku jetojnë e punojnë”, ka thënë Kurti.
Rruga Press