KryesoreLajme

Kurti i vendosur: S’do të ketë shtyrje të afatit për targat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka konfirmuar se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

Këtë Kurti e ka bërë të ditur para mediave të premten, pasi mori pjesë në Samitin rajonal për sigurinë, ekonominë dhe paqen në vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë.

“Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje të afatit më 31 korrik e kemi shtyrë afatin për një muaj, dhe në vend se të jetë data 1 tetor është data 1 nëntor. Të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t’i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Ai tutje u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të përkatësisë serbe që ta shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’i konvertuar targat ilegale në RKS.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

“Fushata vazhdon, përmes mediave, takimeve me të gjithë akterët që targat RKS të shtohen e ato KM të hiqen. Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë”.

“Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, ka shtuar kreu i ekzekutivit.

I pyetur nga Telegrafi se si do të ndikojë ky vendim në raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë, të cilët kanë kërkuar që afati për targat të shtyhet, Kurti është përgjigjur duke thënë se “nuk duam asnjëherë që t’i befasojmë aleatët, por kriminelët”.

“Jam vazhdimisht në kontakt me ministrin tim të brendshëm dhe me drejtorin e policisë. Në anën tjetër jam vazhdimisht në kontakt e bashkëpunim me komandantin e KFOR-it, ambasadorin amerikan dhe Departamentin e Shtetit. Ne nuk duam asnjëherë që t’i befasojmë aleatët, miqtë dhe partnerët tanë. Ne duam t’i befasojmë kriminelët të cilët nuk i ndajmë sipas përkatësisë etnike”, është shprehur ai.

Lexo më shumë  Konjufca pret në takim homologun e tij nga Maqedonia e Veriut

Ndryshe, shtyrjen e afatit për targat për 10 muaj Kosovës ia kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, pasi kanë thënë se nuk duan tensionim të situatës në veri.

Zgjatje të afatit për heqjen e targave ilegale kanë kërkuar edhe pjesëtarë të shoqërisë civile në Mitrovicën Veriore.

Vendimi për targat ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve që ndodhën në veri të vendit.

Ndryshe, qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i konvertojnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *