KryesoreLajme

Kurti i përgjigjet Escobarit: Ta kërkosh Asociacionin pa njohjen e Kosovës, është sikur të kërkosh kafe pa filxhan

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për kërkesën e përsëritur të tij për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një intervistë për mediumin turk “TRT”, Kurti ka thënë se kjo çështje mund të diskutohet tek pas njohjes reciproke me Serbinë.

“Qartë, Escobari është shumë aktiv dhe i përfshirë dhe e mirëpres këtë. E kam takuar disa herë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të drejtë. Ajo që po i theksoj unë si kushte për çfarëdo lloj asociacioni s’janë qëndrime arbitrare të mijat apo mendime personale. Vullneti dhe dëshira e popullit të Kosovës, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, janë ato që më bëjnë të themi se së pari na duhet njohja reciproke dhe tek pastaj ndonjë lloj Asociacioni”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  “Paralizohet” Tirana/ Tension dhe përplasje, çfarë ndodhi gjatë protestës së opozitës

Ai po ashtu ka thënë se Serbia dëshiron të ketë një tjetër Republika Sërspka, sikur ajo në Bosnjë.

Kurti ka thënë se nuk e konsideron planin franko-gjerman si propozim për Asociacionin. “Vetëm fjalia e fundit e nenit të fundit, u referohet të gjitha marrëveshjeve të së kaluarës, dhe janë 33 sosh dhe jo vetëm një, që nuk ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.

Ka përsëritur qëndrimin se mirëpret planin evropian si bazë të mirë për diskutime të mëtejme. Sipas tij, “nënkupton një lloj njohjeje ‘de facto’ dhe kujton nocione e koncepte universale si pavarësia integriteti territorial, sovraniteti, Karta e Kombeve të Bashkuara, sundim të ligjit, vetëvendosje, demokraci, integrim evropian”.

“Ta kërkosh Asociacionin pa njohjen e Kosovës, është sikur të kërkosh kafe pa filxhan. Nuk jam në gjendje të sjell kafe pa filxhan. Shteti është filxhani”, ka përsëritur ai.

Thirrjet e Escobarit dhe partnerëve tjerë për formim të Asociacionit janë shtuar javëve të fundit. Ditë më parë, Escobari ka thënë se nuk ka rrugë tjetër pos krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai po ashtu pati thënë se Asociacioni është obligim i detyrueshëm ligjor dhe se nga ai s’mund të ikën një parti apo individ.

Escobar dhe Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit, në një kolumne ekskluzive për KOHËN ditë më parë kanë thënë se Asociacioni nuk nënkupton shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *