Kurti i kërkon QUINT-it që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e marrëveshjeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë që ta mbajnë përgjegjëse Serbinë për shkeljet që po ua bën marrëveshjeve të Brukselit dhe asaj të Ohrit.
Në një takim të premten, me ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, është diskutuar për “procesin e dialogut dhe zbatimin e Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe Aneksin e Zbatimit nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel dhe ai i 18 marsit në Ohër ndërmjet të dyja shteteve”.
“Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi theksuan se Marrëveshja Bazë dhe Aneksi i Zbatimit duhet të zbatohen pa kushte, pa vonesa dhe në mënyrë të plotë. Gjithashtu, u përmend nevoja që BE-ja ta mbajë përgjegjëse Serbinë për shkeljet e vazhdueshme që po i bën marrëveshjes”, thuhet në njoftim.
Serbia ka shkelur në disa raste marrëveshjet e fundit. Më e theksuara ka qenë votimi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, pavarësisht se në marrëveshjen e Brukselit theksohet se Serbia s’do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Më 15 maj, procesi i dialogut do të vijojë me takimin e radhës të nivelit të kryenegociatorëve, e që do të ketë në fokus zbatimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit, sipas njoftimit.
Rruga Press