KryesoreLajme

Kurti i kërkon Kallasit që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se i ka kërkuar shefes së re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, që shteti i Serbisë ta dorëzojë terroristin Milan Radoiçiq tek autoritetet e Kosovës si organizatori i sulmit në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

Kurti u takua të martën me Kallasin në Bruksel, si pjesë e takimeve të shefes së diplomacisë së BE-së që ka pasur sot me liderët e Ballkanit.

Pas takimit, kryeministri i Kosovës u shpreh optimist se Kallasi është në kohën dhe vendin e duhur dhe se rajoni do të përfitojë nga vlerat e saj.

“Në takim diskutuam çështjet e progresit të Kosovës sa i përket integrimeve evropiane, por edhe raportet me fqinjin tonë verior. Ia theksova që kemi pasur rritje ekonomike dhe progres demokratik të paparë në Kosovën e pavarur dhe njëkohësisht kemi menaxhuar sfidat më të rënda të sigurisë, kërcënimet më serioze të cilat rezultuan me vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku. Kryekrimineli i bandës që kreu këtë mbahet i lirë dhe mbështetet nga Serbia. Ne kërkuam, si në çdo takim tjetër, dorëzimin e Radoiçiqit tek autoritetet e Kosovës pasi Prokuroria tani ka aktakuzë prej 160 faqësh dhe grupin e tij prej mbi 40 personave”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  Azizi: Kur kemi një Kosovë të fortë, me integritet territorial cep më cep, kemi edhe shqiptarë të fortë në çdo pjesë të Ballkanit dhe rajonit

Në takim, Kurti bëri të ditur se u diskutua edhe për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit. Vuri theksin te emblemat e konfiskuara, përfshirë një të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas bastisjeve që u kryen në veri. Për sulmin në Ibër-Lepenc, deri tash janë dy persona në paraburgim.

“Diskutuam edhe për sulmin e fundit. Kemi pasur punë profesionale nga autoritetet tona dhe duhet të marrim masa shtesë që të mos ndodh e njëjta gjë. Po zhvillohet hetim, ka të arrestuar, ka material të konfiskuar. Nga 74 distinktiva, emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, të njësive të ndryshme ruse. Është edhe një emblemë e UÇK-së që na bën të mendoj se dikush ka dashur që hetimin e ardhshëm të mundshëm ta drejtojë në pistë të gabuar. Sepse nuk ka shpjegim ndryshe”, ka deklaruar ai.

Lexo më shumë  VV-ja mban tubim në Bresanë të Sharrit: Nuk ka më komuna paralele në Sharr e në Kosovë

Kurti ka thënë se Kallasi sot i kishte ftuar më shumë për t’i dëgjuar liderët. Ai beson se vitin e ardhshëm do të intensifikohet procesi për paqe, siguri, integrim e zhvillim nën estonezen.

Kallasi gjithashtu takoi edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilit i kërkoi ta zgjidhë çështjen e Banjskës.

YouTube player