KryesoreLajme

Kurti i ftuar nderi në darkën e Qarkut Diplomatik të Parisit – flet për rolin e Kosovës në Evropën demokratike

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte mbrëmë i ftuar nderi në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku të pranishëm ishin personalitete të larta të hallkave diplomatike, politike dhe ekonomike të Francës. Ai shprehu falënderim për ftesën, një ditë para Forumit të Paqes në Paris, forum ky që mbledh liderë nga e gjithë bota, transmeton KosovaNews.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, kryeministri foli për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike në avancimin e mëtejmë të shoqërive tona dhe në përballje me sfidat e përbashkëta. Ai theksoi nevojën, si dhe rëndësinë, që në rrugëtimin përpara të vendeve evropiane vlerat dhe interesat të ecin gjithmonë bashkë.

Lexo më shumë  Albulena Haxhiu kritikon ashpër Avokatin e Popullit: “Po funksionon me standarde të dyfishta për Listën Serbe”

Kryeministri gjithashtu foli për angazhimin dhe vlerën e shtuar të anëtarësimit të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai tha se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të tij. Në këtë drejtim, ai shtoi se u përket atyre që besojnë se zgjerimi i jashtëm i Bashkimit Evropian dhe reformat e brendshme të tij shkojnë krah për krah. Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda; zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës, u shpreh kryeministri.

Lexo më shumë  Shqipëria dhe Bosnja, me nivelin më të ulët të shpenzimeve për kërkim-zhvillim në Europë

Kryeministri Kurti sot merr pjesë në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit të Republikës së Francës, Emmanuel Macron./KosovaNews/

YouTube player