KryesoreLajme

Kurti: Gati gjysma e administratës publike qendrore janë gra, synimi ynë është që në FSK të kemi 1 mijë gra e vajza

Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me Partinë Guxo dhe Alternativën, vazhdoi fushatën elektorale me një takim me gra dhe vajza në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Nga ky takim u premtua mbështetje për çdo vajzë dhe grua që lufton për vendin, për gjeneratat e reja, për nënat e reja, për gratë në profesione të ndryshme dhe për gratë veterane të UÇK-së.

Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, tha se duhet ndjekur shembulli i grave në çdo fushë, ndërsa premtoi mbështetje për fuqizimin e tyre ekonomik dhe barazinë gjinore.

“Gati gjysma e administratës publike qendrore janë gra, 63 për qind e të rekrutuarve janë gra. Në FSK kemi gjenerale madhore, e synimi ynë është që në FSK të kemi 1 mijë gra e vajza. Në polici kemi mbi 1 mijë police. I ftoj nga këtu vajzat dhe gratë të marrin pjesë për kadete të reja”, tha Kurti.

Lexo më shumë  FSK-ja do të zhvillojë marshim stërvitor në Parkun e Gërmisë

Kandidati për deputet, Hekuran Murati, premtoi mbështetje për nënat lehona, rritje të pagës minimale dhe një masë të re mbështetëse të quajtur “Super Gratë”.

“Të gjitha punët e mira që tashmë kemi nisur do t’i vazhdojmë. Pa gratë, pa gjysmën e popullsisë, nuk ka punë të mirë. Përmes masës ‘Super Gratë’ do t’i mbështesim gratë me pagën minimale 500 euro, me së paku 3 mijë euro për 6 muaj. Kemi paraparë fondin për sigurime dhe pushimin e lehonisë, ku një pjesë do ta ketë edhe babai”, tha Murati.

Mimoza Kusari-Lila, kryetare e partisë Alternativa dhe kandidate për deputete, tha se gratë, përmes pavarësimit ekonomik dhe intelektual, arrijnë kauzat për drejtësi dhe barazi.

“Ne kemi seriozisht misionin për sovranitetin dhe shtetin, ngritjen e integritetit për vajza dhe gra. Këto zgjedhje janë për sigurinë dhe mirëqenien tuaj. Këto zgjedhje duhet masovikisht të dilni dhe të votoni 118”, tha Mimoza Kusari-Lila, kandidate për deputete nga Alternativa.

Në këtë takim me gra dhe vajza u bë thirrje që në zgjedhjet e 9 shkurtit të votohen kandidatët për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje.

YouTube player