Lajme

Kurti fton komunitetet të shërbejnë në institucionet e sigurisë

Kryeministri Albin Kurti ka ftuar anëtarët e komuniteteve të ndryshme të Kosovës që të bëhen pjesë e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike dhe të shërbejnë në institucionet e sigurisë në vend.

Në kuadër të Ditës së informimit për komunitetet, Kurti ka thënë se është e domosdoshme që të gjitha komunitetet në Kosovë të jenë të përfshira e të kontribuojnë në institucionet e Kosovës.

“Akademia për Siguri Publike luan rol të rëndësishëm që qytetarët të ndihen të sigurt kudo që gjenden, që të kenë siguri anembanë shtetit tonë”, ka thënë ai duke shtuar se profesionalizimi i kësaj akademie dhe stafit është i rëndësishëm për kufijtë e Kosovës.

Kurti ka thënë se ka përparim në përfshirje më të madhe të komuniteteve në institucionet e sigurisë. “Duke i vënë në funksion, talentet, shkathtësitë dhe profesionalizmin nga të gjithë qytetarët pa dallim, institucionet e sigurisë do të arrijnë më të mirën në shërbim të mbrojtjes, sigurisë dhe paqes”, ka shtuar ai.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Duke ftuar komunitetet që të mësojnë për mundësitë e ofruara që të bëhen pjesë e akademisë, Kurti ka thënë se “në këtë mënyrë mund të përfitoni shumë, por edhe Kosova mund të përfitojë nga shërbimi juaj”.

“Akademia e sigurisë publike sjell dije në punën e secilit për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, ka thënë Kurti më tej.

Kurti ka thënë se që nga koha kur ai është në pushtet, janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale e 16 laboratorë të drogës dhe se janë arrestuar mbi 3800 persona.

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Diversitetin e ka quajtur vlerë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se dyert e institucioneve të sigurisë janë gjithmonë të hapura “për ata që duan të jenë faktorë në ofrimin e sigurisë”.

“Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona, pjesë e pandashme është kontributi nga të gjitha komunitetet. Diversiteti është vlerë”, ka thënë ai.

Akademia ka për mision të trajnojë e të arsimojë të rinjtë që duan të punojnë në institucionet e sigurisë, në ofrimin e ambientit të sigurt.

YouTube player