Opinion/Aktualitet

Kurti e Vitia flasin pse pandemia po shkakton kaq shumë viktima

Dita e diel ka qenë e zezë për Kosovë, pasi këtë ditë kanë humbur jetën 36 njerëz nga COVID-19. Për shkak të gjendjes alarmante është mbledhur edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare.

Kryeministri Albin Kurti e ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë sqaruar para mediave situatën që po kalon vendin, ata janë munduar t’i “zbulojnë” edhe fajtorët, duke treguar se qytetarët s’po kanë kujdes dhe s’po vaksinohen.

Nga Prishtina, Fatos Shala

Të dielën, më 29 gusht, Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë në mars të vitit 2020.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 19 viktima ishin të gjinisë femërore, ndërkaq 17 të gjinisë mashkullore.
Njëmbëdhjetë viktima bënin pjesë në grupmoshën 60-69 vjeç, tetë ishin të grupmoshës 80 vjeç e sipër, nëntë në atë 70-79 vjeç, tri viktima të grupmoshës 50-59 dhe atë 30-39 vjeç, një viktimë i përkiste grupmoshës 40-49 vjeç dhe një viktimë ishte e grupmoshës 20-29 vjeç.
Sipas raportit ditor në 24 orët paraprake janë regjistruar 1.630 raste të reja.
Numri më i lartë i të infektuarve i përket grupmoshës 30-39 vjeç, përkatësisht 336 persona.
Ministria e Shëndetësisë tregoi se shumica e viktimave që u shënuan të dielën në Kosovë kanë qenë të pavaksinuar kundër koronavirusit.
Nga kjo ministri thanë se disa nga viktimat kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.
“Mbi 90 për qind të viktimave të regjistruara, fatkeqësisht kanë qenë të pavaksinuar”.
Kurse, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur “ditë të rëndë” për Kosovën pasi vendi regjistroi 36 viktima.
“Situata dramatike dëshmon edhe njëherë domosdoshmërinë e vaksinimit të të gjithë qytetarëve me të drejtë vaksinimi, por edhe bartjen e maskave për të parandaluar zingjirin e infektimeve. Kjo është mbrojtja e vetme dhe më e mirë. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, ka shkruar Osmani në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook.
Në Kosovë administrohen vaksinat Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca, të cilat jepen përmes dy dozave.
Sipas ekspertëve shëndetësorë, një person konsiderohet plotësisht i vaksinuar dy javë pasi të ketë marrë dozën e dytë të vaksinës.
Varianti Delta – që është variant më ngjitës i virusit – është bërë variant dominues edhe në Kosovë.
“Do të shqiptojmë më shumë gjoba për shkelësit e masave, policëve u rritet orari”
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se mbledhja e Këshillit të Sigurimit ka ardhur pas vdekjes së 36 personave nga COVID-19.
Ai ka thënë se varianti Delta po tregon që është shumë agresiv dhe shpërndarës.
Kurti ka shtuar se infektimet krahasuar me vitin e kaluar janë shumë më të larta.
“Ne do të shqiptojmë gjoba për këdo që shkel masat, do të shtojmë policinë, ndërkaq inspektorët do të shtojnë kontrollet dhe mbikëqyrjen e zbatimit të masave në dyqane dhe qendra tregtare. Do të gjashtëfishojmë inspektorët në AUV. Lista e 85 inspektorëve që shtohen do të publikohet nesër dhe ata nisin punën gjatë javës. Orari i punës së pjesëtarëve të Policisë do të jetë 12 orësh”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se i kanë rritur kapacitetet e shtretërve në mbi 1,600.
Ai ka thënë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare se oksigjenimi qendror është shtrirë në secilin spital regjional.
Kurti ka thënë se edhe të vaksinuarit mund të jetë shpërndarës e bartës.
“Nuk jemi të kënaqur me një lloj disipline që duhet të jetë dy herë dy javore e të vaksinuarve. U bëj thirrje qytetarëve, që gjatë dy javëve pas vaksinës edhe të parës edhe të dytës të kenë shumë kujdes. I ftoj qytetarët të mos përcaktohen vetëm për Pfizer, unë i kam marrë dy doza AstraZeneca. Gjendja e rëndë e cila ndodhemi është për shkak të variantit Delta”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se nga 1 gushti deri më 27 gusht nga 33mijë e gjashtë raste pozitivë, 2,505 kanë qenë të vaksinuar me një dozë.
Sipas tij ka dhjetëfishim të rasteve të atyre që janë infektuar ndonëse mund të kenë qenë të vaksinuar.
“Nga prilli-korrik kanë qenë dy raste të vdekjes, gjatë periudhës 1 gusht deri më 27 gusht kanë qenë 33 raste të vdekjes”, ka thënë ai.
Sipas tij, nga vdekjet e sotme, 5 prej tyre janë të vaksinuar me së paku një dozë.
Kurti ka thënë se në rrethanat siç ishte fillimi i muajit gusht, nuk mund të merreshin masa rigoroze.
Ai ka thënë Kosova ka buxhet të vogël dhe nuk është mundësia e vendeve perëndimore që të mbyllen qytetarët e t’i financojë shteti.
“Është e pamundur që për një kohë të gjatë të mbyllet vendi. Këto zgjidhje nuk janë ideale. Me atë çfarë kemi ditur kemi bërë më të mirën. Sa i përket personelit shëndetësor ne jemi pafundësisht falënderues, por për pagat e tyre ne kemi për shtesë solidariteti për 10 për qind. Tash nuk është situata kur punonjësit shëndetësorë janë në rrezik siç ishte vitin e kaluar ndërkaq për punën shtesë patjetër që do të kompensohen”.
Kosova momentalisht ka rreth 38 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe 132 mijë të asaj Astra Zeneca
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë me Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ka treguar numrin e vaksinave që janë në dispozicion nëpër stoqet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK).
Sipas tij, aktualisht në stoqet e IKSHPK-së gjenden rreth 38 mijë doza të vaksinës anti-Covid të kompanisë amerikane Pfizer, si dhe rreth 132 mijë të firmës AstraZeneca.
Vitia bën të ditur se nesër vijnë 55 mijë vaksina Pfizer
“Në stoqet tona për momentin janë rreth 38 mijë doza vaksinimi të kompanisë Pfizer. Ndërkaq janë 132,438 vaksina të kompanisë AstraZeneca, duke llogaritur këtu edhe 5 mijë vaksina të cilat janë shpërndarë nëpër komuna”, ka thënë ai.
Ministri ka bërë të ditur se Kosova do të furnizohet nesër edhe me 55 mijë doza të reja nga kompania Pfizer.
Vitia ka thënë se varianti Delta i coronavirusit shpërndahet më shpejtë se gripi sezonal.
Vitia ka thënë se qytetarët janë treguar të pakujdesshëm në lidhje me Koronavirusin edhe pas marrjes së vaksinave.
“Rreth 7.9% e atyre që kanë marrë dozën e parë ose të dytë të vaksinës kanë rezultuar të infektuar. Kjo ka ndodhur pasi që qytetarët pasi kanë marrë vaksinën janë ndjerë të liruar dhe nuk kanë pritur 10-12 ditë për të fituar imunitetin që formohet pas marrjes së vaksinës”.
Ministri i Shëndetësisë thotë se qysh kur ka ardhur në Kosovë varianti Delta, institucionet kanë marrë masa kufizuese.
Por sipas tij te vendet që nuk kanë imunitet kolektiv, variant delta ka efekt kërcyes dhe shpërndahet shumë shpejt.
Vitia thotë se afërsisht 100 pacientë në ditë janë hospitalizuar në QKUK dhe spitalet regjionale, derisa sipas tij mesatarisht 57 pacientë në ditë janë liruar.
Ministri Vitia ka thënë se janë marrë masa në spitale dhe është siguruar oksigjenimi qendrorë.
Sipas të dhënave, që prej 13 marsit 2020 e deri më 29 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 142.671 raste me koronavirus dhe 2.457 viktima.
Autoritetet qeveritare e kanë cilësuar si të rëndë situatën me pandeminë në Kosovë dhe më 28 gusht, Qeveria e Kosovës njoftoi për masa të reja kundër pandemisë.
Ndërkaq, sa i përket fushatës së vaksinimit, MSH-ja njoftoi se brenda një dite janë administruar 11.458 doza.
Në total, Kosova ka administruar 808.078 doza, ku 269.312 persona janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës./MONITOR

Lexo më shumë  𝐈𝐝𝐞𝐚𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐞̈ 𝐬𝐡𝐢𝐭𝐣𝐞: 𝟐𝟖 𝐍𝐞̈𝐧𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐝𝐢𝐭𝐚 𝐞 𝐅𝐥𝐚𝐦𝐮𝐫𝐢𝐭 𝐝𝐡𝐞 𝐫𝐞𝐚𝐥𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐪𝐞̈ 𝐤𝐞𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐞̈𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫
YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *