Kurti e Rizvanolli vizitojnë ‘Kosovën B’, premtojnë stabilitet me rrymë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli kanw vizituar Termocentralin “Kosova B”
Kryeministri i Republikës së Kosovës në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Ekonomisë në detyrë, Artane Rizvanolli, vizituan sot Termocentralin “Kosova B”, pas përfundimit të punimeve në rehabilitimin dhe modernizimin e Njësisë B2.
Gjatë vizitës, kryeministri Kurti vlerësoi arritjen si një nga projektet më të rëndësishme të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
“Sot po shënojmë me sukses përmbylljen e një prej projekteve më të rëndësishme të një prej korporatave energjetike të Kosovës, modernizimin e njësisë prodhuese B2, që garanton stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike për gjithë vendin. I përgëzojmë punëtorët dhe KEK-un për këtë arritje të madhe për vendin tonë,” tha Kurti.
Projekti, i planifikuar të realizohej nga prilli deri në shtator të këtij viti, përfshiu ndërhyrje të thella teknike dhe inxhinierike, duke e transformuar njësinë e prodhimit në një sistem më efikas, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
Sipas Kryeministrit, kapaciteti prodhues i njësisë B2 është rritur me 35 megavat-orë, duke ruajtur parametrat bazë të funksionimit. Kur bashkohet me njësinë B1 prej 277 megavatësh, kapaciteti total i Termocentralit Kosova B arrin afërsisht 600 megavatësh.
“Efiçenca e sistemit është përmirësuar ndjeshëm falë teknologjisë së re dhe modernizimit të turbinës, që tani garanton prodhim më të madh me konsum më të ulët të energjisë së brendshme,” theksoi Kurti.
Rruga Press

