Lajme

Kurti e Lajçaku diskutojnë për ndërmarrjen e hapave konkretë në dialog

Ndërmarrja e hapave konkretë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë është diskutuar në takimin mes emisarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit të tyre në Turqi.

Që të dy kanë marrë pjesë në Forumin për Diplomaci në Antali, derisa pas takimit me Kurtin, Lajcaku e ka ndarë qëndrimin e tij.

“Sot në mëngjes në Antali pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për hapat konkretë të ardhshëm për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët në rrethanat aktuale”, ka shkruar Lajçaku në Twitter.

Të shtunën në panelin e diskutimit “Përfaqësimi i Ndryshimit”, Kurti së bashku me liderë të tjerë kanë diskutuar për rininë ashtu si edhe drejtësinë e punësimin.

“Sot në Forumin për Diplomaci në Antali, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në panelin e liderëve me temë ‘Përfaqësimi i Ndryshimit’. Bashkë me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embaló, dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejčinović Burić, biseduan mbi rininë, drejtësinë dhe punësimin. Ndryshimi politik ka nevojë për një lëvizje: një kauzë, një organizatë dhe një përpjekje”, tha kryeministri Kurti

Lexo më shumë  Në Kosovë nis fushata globale “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”

Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Kurti është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e Letonisë, e me të cilin tha se kanë diskutuar “për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për gjithë Evropën”.

“Diskutuam për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për të gjithë Evropën me zëvendës kryeministrin e Letonisë. E falënderova për kontributin e Letonisë në KFOR dhe mbështetjen për agjendën tonë të integrimit në BE”, ka thënë Kurti.

Krahas Kurtit, në Forumin e Demokracisë në Antalia është duke marrë pjesë edhe presidentja Osmani.

Të shtunën ajo është takuar me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid.

“Përsërita se Kosova qëndron pranë aleatëve në këtë kohë sfiduese dhe e gatshëm për të mbështetur qytetarët ukrainas në përpjekjet humanitare globale”, ka njoftuar Osmani.

E për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi, Osmani tha se ka diskutuar me mandatarin për kryeministër, Dritan Abazoviq.

“Diskutuam për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunimin Kosovë-Mal të Zi në dobi të popullit tonë”, ka thënë ajo.

Forumi për Demokraci ka nisur të premten e do të përmbyllet të dielën./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *