Kurti: Do të votoja pro bashkimit me Shqipërinë në një referendum demokratik
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për radio Monocole se në të ardhmen do të votonte pro një referendumi të bashkimit me Shqipërinë vetëm nëse do të prezantohej në formë demokratike.
Megjithatë, Kurti ka potencuar gjatë kësaj interviste se ky nuk është prioriteti i tij gjatë këtij mandati, dhe në ndonjë mandat të ardhshëm nuk do ta përjashtonte mundësinë për bashkim.
“Unë mendoj se nëse do të ekzistonin dy referendume njerëzit do të votonin për bashkim. Unë jam zgjedhur kryeministër për të luftuar korrupsionin për të hapur vende pune për të rinjtë dhe gratë. Por në të ardhmen nuk do ta përjashtoja, sidoqoftë për stabilitet në rajon më e mira do të ishte nëse gjashtë vendet e Ballkanit të hynin në BE”, ka deklaruar ai.
“Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete por një komb, ne nuk e shpallem pavarësinë kundër Shqipërisë, por kundër Serbisë”, ka thënë Kurti.
Sidoqoftë, i pyetur se si do të votonte në ndonjë referendum të mundshëm për bashkim, ai tha se do të votonte për po, vetëm nëse prezantimi i referendumit vjen në formë demokratike.
“Mendoj se në të ardhmen nëse do të prezantohej si një referendum demokratik që do të kryej në sjellje paqësore, unë do të votoja për po, por e përsëris vetëm nëse bëhet në formë demokratike”, deklaroi mes tjerash ai.
Rruga Press