Kurti: Do të punojmë që mësimdhënësit t’i kenë kushtet më të mira për punë
Kryeminsitri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar shkollën “Elena Gjika” me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit.
Kurti ka premtuar se Qeveria do të punojë që mësimdhënësit të kenë kushte më të mira për punë në mënyrë që edhe fëmijët të jenë më të mirë.
“Do jem sa më pranë jush që t’ju ndihmojmë e t’ju mbështesim që mësimdhënësit t’i kenë kushtet më të mira, në mënyrë që edhe fëmijët të jenë më të mirë. E ardhmja jonë është nëse nxënësit tanë janë çdoherë më të mirë. Vetëm atëherë e ardhmja jonë është më e sigurt. Shpesh kemi dëgjuar se thonë se rinia është e ardhmja, në fakt rinia është e tashmja, e fëmijët janë e ardhmja”, ka thënë Kurti.
E ministrja Nagavci po ashtu ka premtuar në mbështetje të plotë në krijim të infrastrukturës për arsim.
“Të bëjmë më të mirën, të krijojmë qytetarë të përgjegjshëm. Jam e bindur që kujtimet që mësuesit i lënë janë të pashlyeshme. Si ministri përpos që shpreh mirënjohjen, jemi në mbështetje të plotë për të krijuar infrastrukturën për arsim. Por, jemi të bindur se përtej çdo infrastrukture, jeni ju mësimdhënës që jeni më të rëndësishëm në formimin e nxënësve. Kemi planifikuar buxhetin për mësimdhënësit me probleme shëndetësore, kjo që çdo mësimdhënës të bëjë punën pa brenga. Si një ish-mësimdhënëse, si kolege e juaj, i di sfidat e juaja, por e di që edhe e ndajmë të njëjtën bindje se kemi shumë punë për të bërë për fëmijët tanë”, tha Nagavci.
Rruga Press