Lajme

Kurti: Banditët të arrestohen në Kosovë ose të kthehen në Serbi, pastaj zgjedhje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme në veri mund të mbahen, por se fillimisht “banditët që shkaktuan dhunë gjatë ditëve të fundit në komunat veriore duhet të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë”.

Në një intervistë për NBCNews të premten, Kurti ka thënë se para se të shkohet në zgjedhje, ekstremistët e dhunshëm që u paraqitën në veri duhet të përballen me ligjin.

“Kryetarët që fituan zgjedhjet e 23 prillit kanë legjitimitet të vogël, për shkak të pjesëmarrjes së vogël. Ne kemi bërë thirrje që të merrnin pjesë të gjithë, por Beogradi zyrtar kërcënoi, bëri presion dhe intimidoi serbët për të mos marrë pjesë. Këta kryetarë kanë legjitimet të vogël, por janë të vetmit të ligjshëm. Para se të kemi zgjedhje të parakohshme, duhet të kemi sundimin e ligjit në vend, që këta banditë, ekstremistë të dhunshëm që u paraqitën të jenë para ligjit dhe më pas të ketë kushte dhe fushatë fer dhe të hapur për zgjedhje demokratike”, ka thënë Kurti.

Lexo më shumë  DOSJA/ Gjyqtarja Pajtime Fetahu kërkoi nga bandat të goditej gazetari Saimir Kodra pasi ai ka denoncuar lidhjet e gjyqtares me krimin

Kurti ka kërkuar që marrëveshja e Brukselit të zbatohet. Ka paralajmëruar se detajet për zgjedhjet e reja dhe çështjet e tjera do t’i diskutojnë me të dërguarin e SHBA-së, Gabriel Escobar dhe lehtësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme.

“Duhet të jemi të sigurt që të zbatohet marrëveshja e Brukselit e cila e ka njohjen de-facto. Për shtensionim këta banditë, këta ekstremistë të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë. Dhe pastaj zgjedhje të parakohshme. BE-ja të jetë aktive në këtë dialog. Javën tjetër, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe do të diskutojmë detajet. Besoj në zgjedhjet të parakohshme, por fillimisht kemi nevojë për sundim të ligjit dhe fushatë fer para zgjedhjeve”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka bërë thirrje që komuniteti ndërkombëtar të ndihmojë që serbët në Kosovë të jenë të lirë të ushtrojnë të drejtat e tyre.

“Njerëzit duan të dëgjohen, por Beogradi zyrtar nuk i lejon. Beogradi lejon vetëm një parti, Listën Serbe. Nuk ka demokraci pa pluralizëm politik. Komuniteti ndërkombëtar duhet të na ndihmojë që ata të jenë të lirshëm ta ushtrojnë të drejtën e tyre në votime ”, ka shtuar Kurti.

Lexo më shumë  KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës përfundojnë stërvitjen “Golden Sabre 2024”

Kurti ka thënë se bota demokratike perëndimore u shqetësua pas veprimeve të fundit të Qeverisë së Kosovës, pasi siç thotë ai, kishin frikë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mund ta destabilizonte rajonin.

“Çfarë kemi bërë, ishte detyra jonë. Sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe respektimi i kryetarëve. Por papritmas ka pasur shumë shqetësime në botën demokratike perëndimore pasi presidenti serb mund ta destabilizojë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”, ka thënë ai.

Kurti ka mohuar pretendimet e serbëve se Policia e Kosovës ka përdorur dhunë gjatë trazirave të fundit në veri.

“Nuk ka evidencë që Policia e Kosovës përdori dhunë. Policia e Kosovës është më profesionalja në Ballkan, ka qenë e trajnuar nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, dhe BE-ja. Në anën tjetër, kemi banditët që janë aty për destabilizuar Kosovën”, ka thënë Kurti, i cili ka shtuar se Rusia nuk e do suksesin e Kosovës për shkak se është sukses i intervenimit të NATO-s dhe i zhvillimit demokratik.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *