Kurti ambasadorëve të QUINT-it: Marrëveshja finale në dialog me njohje reciproke në qendër
Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të sjellë normalizim të plotë me njohjen reciproke në qendër, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në një takim që ka pasur me ambasadorë të vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë të premten.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në takim është diskutuar për zhvillimet në vend, dialogun, për energjinë dhe çështjen e targave të veturave.
“Për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.
Sa i përket vendimit për targa, që po i afrohet fundit të periudhës në të cilën qytetarët mund t’i kthejnë targat ilegale në ato RKS, e për të cilën ka kërkesë të Perëndimit që të shtyhet edhe për disa muaj, kryeministri ka thënë se “vendimi s’është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës”.
“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, u shpreh kryeministri Kurti.
Rruga Press