Kurti: 10 minuta për të vendosur 4 vjet dinjitet dhe mirëqenie
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, në një tubim me qytetarët në Kaçanik, ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ka ftuar qytetarët të votojnë për koalicionin me partinë Guxo dhe Alternativa.
“Sa më shumë që i afrohemi datës 9 shkurt, aq më shumë i afrohemi fitores së Vetëvendosje, të koalicionit tonë me partinë Guxo e me partinë Alternativa. Të dielën e 9 shkurtit do t’i kushtoni vetëm 10 minuta shkuarje dhe ardhje deri në vendvotim dhe me ato 10 minuta të vendosni vet, të vetëvendosni dhe t’i fitoni 4 vjet jetë me mirëqenie dhe dinjitet për të gjithë juve, për secilën familje, për çdo qytetar të Kaçanikut e të Kosovës mbarë,” tha Kurti.
Ai theksoi se ekipi i kandidatëve për Kuvendin e Kosovës sjellin shpresë për vendin.
“Ne, 110 kandidatë për Kuvendin e ri të Republikës jemi edhe mendjemprehtë edhe zemërgjerë. Ne bashkë, me mendje sjellim shpresë, sepse me zemër kemi besë.”
Ndërkohë, Arbërie Nagavci, kandidate për deputete e koalicionit, shprehu bindjen për mbështetje të gjerë.
“Bashkë me 500 mijë zemra cep më cep Kosovës e në mërgatë, më 9 shkurt do të rrahim njëzëri për numrin 118, për listën tonë të përbashkët për qeverinë Kurti 3.”
Ajo vlerësoi Kaçanikun për rëndësinë historike. “Jam e nderuar të jem sonte këtu, në vendin ku 34 vjet më parë u shpall Kushtetuta e Kaçanikut, dokument i rëndësisë madhore, historike e patriotike, i hartuar nga atdhetarët më të zjarrtë të kohës. Kaçaniku ka qenë dhe mbetet, simbol mburojë i Republikës”, tha Nagavci.
Rruga Press