KryesoreLajme

Kur mosnjohja e shtetësisë shpërblehet: Lista Serbe fiton në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë një vendim paradoksal, duke pranuar dhe shqyrtuar kërkesën e Listës Serbe – një subjekt politik që në mënyrë të vazhdueshme nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj – dhe duke i dhënë asaj legjitimitet të plotë institucional.

Në aktgjykimin e publikuar sot, Kushtetuesja ka konstatuar se zgjedhja e Nenad Rashiqit në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb nuk ka qenë në përputhje me Kushtetutën, duke theksuar se e drejta për propozim i takon grupit parlamentar me numrin më të madh të deputetëve brenda komunitetit përkatës, në këtë rast Listës Serbe.

Megjithatë, pikërisht këtu qëndron thelbi i debatit: Lista Serbe nuk e njeh Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe as vetë Gjykatën Kushtetuese, por Gjykata, duke e trajtuar kërkesën e saj si të vlefshme dhe duke ndërtuar vendimin mbi të, e ka njohur mosnjohjen e Kosovës si akt legjitim brenda rendit kushtetues të Kosovës.

Lexo më shumë  Arrestimi i Ballukut/ Si po e zvarrit Peleshi çështjen për të djegur limitet kohore

Me këtë vendim, krijohet një precedent i rrezikshëm juridik dhe politik: subjekte që refuzojnë ta njohin shtetin, Kushtetutën dhe institucionet e tij, jo vetëm që përfitojnë nga to, por edhe arrijnë të imponojnë interpretimin e tyre të rendit kushtetues përmes Gjykatës më të lartë të vendit.

Gjykata ka theksuar se përfaqësimi i komuniteteve joshumicë është përgjegjësi kushtetuese e shumicës parlamentare, por njëkohësisht ka pranuar se komunitetet duhet t’i ushtrojnë të drejtat e tyre “në përputhje me rregullat kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës” – një standard që Lista Serbe politikisht dhe publikisht nuk e respekton.

Në analizën e rastit, Kushtetuesja vlerësoi se deputetët serbë kishin propozuar gjithsej nëntë kandidatë për nënkryetar të Kuvendit, dhe se zgjedhja e Nenad Rashiqit nuk erdhi si rezultat i propozimit të shumicës së deputetëve serbë, por si pasojë e aktivizimit të mekanizmave të ashtuquajtur “debllokues”, të cilët Gjykata i cilësoi si të papërshtatshëm në këtë rast.

Lexo më shumë  GAP: Mbi 130 mijë punëtorë përfitojnë nga rritja e pagës minimale këtë vit

Rashiq ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit më 10 tetor 2025 me votat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke marrë 71 vota për, 9 kundër dhe 24 abstenime, pasi kandidatët e Listës Serbe nuk arritën të sigurojnë shumicën e nevojshme.

Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në praktikën e ardhshme të konstituimit të institucioneve, por njëkohësisht hap një dilemë themelore për shtetësinë e Kosovës: a mund të mbrojë rendi kushtetues veten, nëse u jep të drejtë vendimmarrjeje politike dhe juridike subjekteve që vetë e mohojnë atë?

YouTube player