Kur media merr rolin e partisë
Shkruan Bashkim Rodoni
Ka një moment në jetën e çdo demokracie kur kriza nuk shfaqet më te partitë, por te ata që pretendojnë se i mbikëqyrin: te media. Jo kur ajo gabon rastësisht, por kur gabimi bëhet metodë; kur dështimi profesional shndërrohet në model funksionimi dhe, paradoksalisht, në burim fuqie.
Kjo është ajo që po ndodh sot: media nuk po raporton më politikën, por po e zëvendëson atë. Nuk po e analizon betejën elektorale, por po e drejton atë. Dhe kur rezultati nuk del siç ishte projektuar, ajo nuk reflekton – ajo ia faturon dështimin aktorëve politikë që vetë i ka instrumentalizuar.
Në teori, media është hapësirë e ndërmjetme: ajo i jep publikut informacion, krijon terren për debat, i mban aktorët politikë nën vëzhgim. Por në praktikë, në ciklin e fundit politik në Kosovë, ndodhi diçka tjetër: media u bë palë.
Jo në mënyrë të hapur dhe të ndershme, por përmes një arkitekture diskursive ku temat nuk u zgjodhën nga realiteti por nga interesat, “analiza” u ndërtua mbi insinuata dhe jo mbi fakte, debati u zëvendësua nga koreografi e opinionistëve, politikanëve të opozitës dhe “ekspertëve” të importuar.
Opozita nuk prodhoi më strategji politike por u pasivizua brenda një narrative të fabrikuar në studio. Media mori rolin e partisë: formuloi tezën, përcaktoi armikun, strukturën e mesazhit dhe ritmin e fushatës.
Kjo sjellje u mbështet mbi një bindje arrogante: se kontrolli i narrativës është ekuivalent me kontrollin e votës. Logjika ishte e thjeshtë: nëse realiteti mediatik është mjaftueshëm i unifikuar, publiku do të ndjekë.
Por ajo që ndodhi ishte e kundërta. Sa më i koordinuar u bë sulmi, aq më e dukshme u bë disonanca mes jetës reale dhe diskursit televiziv. Publiku nuk e përjetoi politikën siç ia tregonte ekrani. Ai pa mungesë faktesh, rrotullim të vazhdueshëm të të njëjtave akuza, gjuhë agresive që nuk kërkonte të bindte, por të poshtëronte.
Kështu, “inxhinieria e opinionit” dështoi. Jo sepse publiku u bë papritur i pakontrollueshëm, por sepse propaganda u bë shumë e dukshme për t’u maskuar si analizë.
Pas humbjes, media nuk u ndal për të pyetur veten:
Ku gabova? Pse nuk arrita të lexoj shoqërinë? Pse nuk funksionoi kjo qasje?
Përkundrazi, u aktivizua një mekanizëm i njohur, shkarkimi i përgjegjësisë. Faji iu atribuua opozitës: ishte e dobët, ishte e paorganizuar, ishte e paaftë të reagojë strategjikisht.
Këto mund të jenë pjesërisht të vërteta. Por ato fshehin faktin kryesor: opozita nuk ishte subjekti kryesor i fushatës; media ishte. Ajo ndërtoi diskursin, përcaktoi temat, orkestroi ritmin. Kur kjo strategji dështoi, ishte logjike që faji t’i faturohej atij që tashmë kishte humbur fuqinë politike. Kjo nuk është analizë por larje duarsh institucionale.
Këtu qëndron një problem strukturor. Partitë politike humbin zgjedhje dhe ndëshkohen publikisht por mediat, edhe kur veprojnë si aktorë politikë rrallë mbajnë përgjegjësi për dështimet e tyre, rrallë bëjnë autokritikë, rrallë zbulojnë lidhjet e interesit që i kushtëzojnë.
Kjo krijon një formë pushteti pa llogaridhënie: media ndikon, orienton, stigmatizon, por nuk i nënshtrohet të njëjtit mekanizëm verifikimi moral dhe publik si aktorët politikë. Në këtë kuptim, problemi nuk është se media ka mendim. Problemi është se ajo ushtron pushtet politik duke pretenduar se është neutrale.
Paradoksi më i rëndë është se media po e mban veten gjallë duke dështuar në profesion. Në vend që të prodhojë investigim të pavarur, verifikim faktesh, analizë që dallon midis kritikës dhe delegjitimimit, ajo prodhon skandale pa prova, opinion të paketuar si informacion, polemikë që gjeneron zhurmë, por jo kuptim.
Ky dështim nuk po e dobëson median as ekonomikisht as simbolikish, përkundrazi, po e ushqen atë. Zhurma prodhon klikime, polarizimi prodhon audiencë, konflikti prodhon vëmendje. Kështu, mosprofesionalizmi shndërrohet në model biznesi, ndërsa etika profesionale bëhet pengesë.
Kur media vepron kështu, ajo nuk është më kritikë e pushtetit, por pushtet alternativ pa mandat demokratik. Ajo nuk konkurron në zgjedhje, por përpiqet të përcaktojë rezultatin. Nuk i nënshtrohet votës, por kërkon të ndikojë mbi të dhe kur dështon, nuk reflekton si një aktor politik i përgjegjshëm, por fshihet pas maskës së “analistit”, duke ruajtur privilegjin e ndikimit pa barrën e llogaridhënies.
Media nuk “penalizohet” me censurë apo ndalim por me humbje besimi publik, me ekspozim të interesave që fshihen pas “analizës” dhe mbi të gjitha rikthim historik të kërkesës për standard profesional.
Demokracia nuk dëmtohet vetëm kur manipulon pushteti politik. Ajo dëmtohet po aq kur manipulon ai që flet në emër të opinionit publik, ndërkohë që e zëvendëson atë me narrativën e vet. Kur media merr rolin e partisë, ajo nuk e forcon demokracinë – e hollon atë. E zhvendos betejën nga ideja te insinuata, nga programi te stigmatizimi, nga argumenti te zhurma.
Ndoshta mësimi më i rëndë i kësaj periudhe është se kriza e politikës nuk mund të zgjidhet nga një media që ka hequr dorë nga profesioni i vet, sepse gazetari që jeton nga dështimi i saj, nuk ka autoritet moral për të kërkuar llogari nga të tjerët.
Rruga Press

