Editorial

Kur asociacioni nuk mbron gazetarinë, por mercenarët

Editorial nga Rruga Press

Një shkrim të tillë duhet ta vendosim si editorial, sepse është në thelb të mbrojtjes së gazetarisë. Ne përdorim zërin që kemi e jo valën publike. Pasurinë publike të emetimit po e përdorin sot të ashtuquajtur gazetarë që kanë dekada që flasin kundër interesave shtetërorë. Por ata janë të mbrojtur nga cilësimi “gazetarë”. Nuk janë aspak gazetarë, por interpretues dhe mbrojtës të interesave të klaneve. Mundet që në gabimin e mbrojtjes me çdo kusht të të ashtuquajturve “gazetarë” të vijë edhe një asociacion gazetarësh.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur se “dënon gjuhën e përsëritshme linçuese të zyrtarit të Vetëvendosjes dhe ish-kandidatit të kësaj partie për deputet, Hysamedin Feraj, ndaj një grupi të gazetarëve. Në një postim në Facebook të hënën, Feraj i ka akuzuar disa gazetarë kosovarë se ‘punojnë falas për Serbinë’.”

Le ta lexojmë shprehjen e profesorit të filozofisë dhe teorisë politike:

“Nuk është e drejtë që Grenelli të paguhet dhe grenellistët jo (?) Apo Kosova i ka borxh Serbisë dhe këta ia shlyejnë duke punuar falas për të!”

Asociacioni i gazetarëve u shpreh edhe se gjuha e z. Feraj vë në rrezik sigurinë e gazetarëve.

Pikërisht pas këtij qëndrimi të shprehur të kësaj shoqate një person me emrin Dren Gashi e kërcënoi në hapësirën e komenteve z. Feraj duke shkruar: “Ti je nje bir k*rve që plumbin e ke hak”.

Ne si media, dënojmë linçimin që Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i bën z. Feraj për të disatën herë dhe si pasojë, këtë herë ky i fundit ka marrë një kërcënim real me “plumb kokës”, duke u vënë në rrezik siguria e profesorit në fjalë.

Ndër të tjera, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës bën mirë që të mbrojë gazetarinë dhe jo gazetarë të fake-newsit, të cilët jo rrallë herë lajmet e tyre të rremë i kanë ngritur në dëm të sovranitetit të shtetit të Kosovës.

Asociacioni nuk e dënoi aspak Berat Buzhalën kur ky i fundit bëri ndoshta fake newsin më të rrezikshëm dhe më të paskrupullt që mund të jetë bërë ndonjëherë në Kosovë.

Në momentin kur kryeministrit Kurti i bëhej presion nga të katër anët që ai të shkonte në Washingtonin e Trumpit dhe të vuloste ndarjen e Kosovës, ishte “gazetari” Berat Buzhala i cili e mori përsipër shpërndarjen e idesë se SHBA-ja do të tërhiqte trupat ushtarakë nga Kosova në rast se nuk do të shkohej në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshje definitive me Serbinë.

Atë kohë Buzhala nuk vuri në rrezik sigurinë personale të ndokujt, por duke përhapur panik se “Amerika po na braktiste” po vinte në rrezik sigurinë e Kosovës, sovranitetin e saj.

Më minimalja do të kish qenë që ky Asociacion të mbronte dinjitetin e gazetarisë duke bërë thirrje të ndalohej fake newsi që përhapte panik dhe projektonte katastrofë për shqiptarët.

Asociacionit nuk i shkoi ndërmend që të dënonte gazetarin Berat Buzhala kur ky i fundit, në llogarinë e tij të facebookut dhe në median e tij u shpreh se “dy vagabonda të Vetevendosjes deshtën me më sulmu”. Mbas denoncimit në polici u kuptua se personat në fjalë nuk ishin aktivistë të Vetëvendosjes, por aludohej se mund të ishin mbështetës të PDK-së.

Berat Buzhala nuk e tërhoqi fake newsin e tij, nuk kërkoi falje dhe Asociacioni i Gazetarëve nuk shprehu interes për këtë linçim që Buzhala e bëri mbi aktivistët e Vetëvendosjes.

Kjo shoqatë gazetarësh, por jo e gazetarisë, nuk u shpreh kurrë në lidhje me fushatën mediatike për ndarje të Kosovës. Nuk dënuan kurrë kolegun e tyre, Baton Haxhiu, as kur ai kërkoi që kriminelët serbë që kishin vrarë e përdhunuar në Kosovë të amnistoheshin, sepse, sipas tij, kishte kaluar shumë kohë që nga krimi.

Nëse Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës do t’i interesonte dinjiteti i gazetarisë në vend se rehatia e disa pseudo-gazetarëve, do t’i kishte tërhequr vëmendjen gazetarit Baton Haxhiu se ai, në cilësinë e gazetarit, nuk mundet të testojë teza skandaloze në opinion në mënyrë që t’i shpëtojë lëkurën politikanëve të cilët ai mbronte dhe prej të cilëve paguhej dhe as mund të fyej dhimbjen e nënave të Kosovës apo grave të përdhunuara. Përndryshe, del që nënat e viktimave apo gratë e përdhunuara duhet të ndërtojnë një shoqatë që të mbrojë nderin e tyre prej gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve, por jo i gazetarisë, nuk reagoi as kur një i paskrupullt si gazetari Valon Sula linçoi (sipas gjuhës relative të Asociacionit) më shumë se çerekun e shqiptarëve në Kosovë, mërgatën. Ai e quajti mërgatën shqiptare primitive, duke iu referuar atyre edhe nën nofkën “gërrnaça”.  

Le të kujtojmë edhe “Raportin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian” në lidhje me lajmet e rremë në Kosovë. Asociacioni nuk u shqetësua për prodhimtarinë e gënjeshtër të gazetarëve në Kosovë.

Raporti në pjesën për Kosovën theksonte faktin se lajmet e rreme në Prishtinë janë përdorur për të sulmuar Vjosa Osmanin, por gjithashtu partitë opozitare krijuan një kauzë të përbashkët në bashkëpunim me pjesëtarë brenda apo të lidhur me administratën Trump që çuan në rrëzimin e qeverisë Kurti mbi bazën e keqinformimit. Nuk pamë ndonjë vërejtje serioze nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës as në lidhje me këtë raport që na thoshte se gazetarë të caktuar të Kosovës kanë punuar fort dhe në bashkëpunim me të deleguarin e Trumpit, z. Grenell, që përmes presionit dhe lajmit të rremë të rrëzohej qeveria e Kosovës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës do të duhej të shqetësohej kur pa që në Kosovë po ndodh një grusht-shteti hibrid dhe në të po marrin pjesë “kolegët e nderuar gazetarë”.

Gjatë ndërhyrjes së FSK-së në veri të Mitrovicës dhe në doganë na duheshin vetëm 5 minuta lundrim nëpër portale për të kuptuar se sa dezinformatë dhe se sa dëm po i bëhej pozitave të Kosovës në këtë “përplasje” të Kosovës me Serbinë. Disa gazetarë shqiptarë zgjodhën që ta dëmtojnë Albin Kurtin, kryeministrin e Kosovës, duke raportuar a thua sikur interesat nacionale të Kosovës ishin ato që i dëgjonim të vinin nga Beogradi.

Ashtu siç bëri z. Feraj, pra që e vuri në pah këtë fakt kaq evident, ashtu do të duhej të bënte edhe Asociacioni i Shoqatës së Gazetarëve, në mënyrë që ta bëjë dallimin nga “shoqata e atyre gazetarëve mercenarë në Kosovë dhe kundër Kosovës”.

Më së fundi, dhe tani për tani, Asociacioni bën mirë të mbrojë profesionin dhe jo abuzuesit me liritë që mbron profesioni. Nëse e ndërtojmë profesionin korrektësisht, profesioni i mbron vetë profesionistët. Po e sqarojmë asociacionin lidhur me objektin e çështjes: gazetari ndryshon nga analisti. Ata për të cilët bëhet fjalë janë analistë e jo gazetarë. Asociacioni duhet të mbrojë gazetarët e terrenit dhe ata të investigimit, njerëzit që i bëjnë të njohur publikut shkeljet me fondet publike, abuzimet me pushtetin, me të drejtat e njeriut. Asociacioni nuk ka pse mbron persona që shprehin ide politike në pozicionin e analistit. Këta nuk janë gazetarë por njerëz të partive politike. Këta le t’i mbrojë publiku me votën e tij gjatë zgjedhjeve. Asociacioni bën mirë të mbrojë gazetarët që mbrojnë profesionin.

Kur asociacioni përdor vend e pa vend termin linçim, atëherë asociacioni po linçon. Na mbetet të kuptojmë në këtë rast se asociacioni nuk është i gazetarisë, por i ca njerëzve që nuk janë gazetarë.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *