Art & KulturëBallina

Kur arbëreshët e shpërndarë në botë i mbledh bashkë gjuha

“Gluha jonë arbëreshë osht mo plakë se gjithë gluhtë  t’jeta”, me shqipen arbëreshe 88 -vjeçari Joe Frascino i drejtohej të gjithë atyre që do të mbanin vesh bisedën e tre arbëreshëve, kur  kjo do të hidhej nga kamera që xhironte drejt e në botën e madhe të Internetit.

Ishte viti 2008, kur atëkohë kongresmeni  amerikan Joe Dioguardi, kishte mbledhur në një  tryezë arbëreshë të brezave e historive të ndryshme.

Vetë Dioguardi, një italo-amerikan me prindër arbëreshë ardhur prej Greci-t, një fshat në Kalabri, Rita Perillo arbëreshe që jeton në po të njëjtin fshat nga ku emigruan prindërit e politikanit amerikan, i cili themeloi më vonë edhe Lidhjen Civike Shqiptaro-Amerikane dhe Joe Frascino, arbëreshi i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prindërit e të cilit ia mësuan gjuhën arbëreshe dhe ai e ruajti gjatë gjithë jetës, të pastër.

Arbëreshi i lindur në ShBA,Joe Frascino.

Arbërishtja e të moshuarit, e ruajtur me pak ndikime nga italishtja për shkak të emigrimit të hershëm të familjes nga Civita, apo katundi Çifti siç i thonë arbëreshët ka disa nuanca të gegërishtes së butë, që dëgjohet sot në të folmen e Shqipërisë së Mesme, ndonëse arbëreshët e ikur prej 1488-s nga trojet e tyre, thonë se gjuha e tyre është e bazuar në toskërishten.

“Moma ime, tata ime, kur ishin i vogël, vunë kurorë te Katundi. Moma u lje n’Argjentina.  Ishte  kaq shumë arbëresh që vatë në Argjentina, në Bunsare e ancora janë n’Argjentina, folin arbëresh.

Kur ishte dhjetë vjet moma ime vatë prapë n’Italiet, e tata ime vatë in Brazil, in SanPaolo, atje janë shumë arbëresh puro. E janë ancora”, kështu e niste  rrëfimin e historisë së familjes së tij Joe Frascino, me arbërishten e tij si nga kohët e Skënderbeut.

“E u vate in Brazil, kljeva n Brazil për gjashtë muj. Ishte John Vincenzi kur më pa mua, që isha biri i Vincenzit, që ishte shoku atij, m’përqafi,m’puthi , nuk m’la meno nji minute të ikja. Folin  arbëresh, arbëresh,  arbëresh.  Kishin shumë hare”.

Kremtime arbëreshe, Civita, Itali

Kur u kthye nga Brazili, Frascino rrëfente se dinte të fliste vetëm gjuhën arbëreshe.

Erdha prapë m’shpit dopo  këtu. Kur isha i vogël, dopo ku u kljeva, vatë shkollë.  Kur  vatë  shkollë  unë nuk di të folja inglez fare, folja vet arbëreshe m’shpit. Moma më foli taljan, se duhet të msoshe folja italian. Kur  vajta skola dopo, çikëz e çikëz kur u rrita  e  m’shpi zembrit foli arbëreshë.  Vetëm   nji herë moma e  tata folin spanjoll, portugez”.

Frascino pati dy vëllezët, Giovanni dhe Mecuzzi, të cilët u ndanë nga jeta rreth të njëqindtave. “Ma bilt nuk folin”, thotë ai duke iu referuar bijve.

“Ashtu vete. U ljenë këtu, nukë dinë”.Në shtëpinë e Frascino-s është folur gjithnjë gjuha arbëreshe.

Rita Perrillo, arbëreshja e Italisë që e flet gjuhën me nuanca më të forta të toskërishtes dhe me ndikim nga italishtja, rrëfen historinë e saj, duke biseduar me Frascino-n, të cilin e ka njohur gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prej kremtimeve të organizuara nga Dioguardi dhe Lidhja Civike Shqiptaro-Amerikane.

Perillo dhe Frascino, duke folur në gjuhën arbëreshe

“Kur isha e voks vate në Australia. Dopo  harrova taljanen e flisja arbëreshe e inglez. Kur  u turnova nga katundi jonë, nun dinja të flitnja italianen, flitja vetëm arbërsh.  Ata mabilje… Unë kam tre të bij, ata flasin italian e arbëreshë.  Ajo ma bij e vogla, mësojti albanesin al universita, vatë in Albania, a Tirana të mësonjë albanesin e nani,  insenjon arbëreshin jonë kah skola”, rrëfen Perillo, duke shpjeguar se e bija është autore e një fjalori “dicunar”,siç i thotë Rita, arbërisht-italisht “I pari ça çë bëshin ka Hora jonë”,  thotë ajo, ndërsa me horë arbëreshët i referohen vendit apo fshatit të tyre, një fjalë që gjendet në gjuhën greke.

E nani,  bëri njatrë  librë, që isht’ arbëreshe e italiane e ka sturielat që thoshin pranë zjarrit.

Ajo ma bij, ka shokun saçë vjen da Lungro e vanë bashkë al universita.  ajo ma bijë vatë në universita e janë pesë horë,  gjitha turno,  e ajo vate i pa t’gjith”, i tregon Rita, arbëreshit tjetër Frascino, duke folur në gjuhë arbëreshe, ndërsa nisin të flasin rreth katundeve arbëreshe në Itali.

“Ti e di sa katunde janë n’italiet?”, pyet Joe Frascino.

“Janë cinquant un”, gjegjet Rita.

“Janë mose cinquant un, janë mose njiqind, të të thom u që janë mose njëqind. I  kam të shkrujt m’shpit. Shën Kolla, t’gjith abëresht atje, ka Çifti…të gjithë që rrinin ke këta katundet iktin, e është birt gjuha, çikëz e çikëz. Këtu asht një katund afër, i thonë Harrison, janë të gjithë ka Barrila”, thotë Frascino, duke përmendur disa fshatra të tjerë arbëreshë  në Sicili, si Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëvet), Contessa Entellina, Mesogiuso.

“Vina numër uno në gjith’ Siciliet është in Contessa Entellina”, zbulon Frascino, duke thënë se në Lodi të Nju Xhersit, kishte zbuluar një restorant me emrin “Mesogiuso”.

“E vojta te kjo restoranti, u futa brenda e fola arbëresh. E ish nji cucinar ka Albania e zumë e folëm e tha, ti je shqiptar ka Çifti, in Italia”.

Rita Perrilo rrëfen sesi një ligj i dalë atëkohë financonte shkollën në gjuhën arbëreshë.“Nani shkrojti një legj ka provinca jonë saçë japin soldit që të kontinuajën të bëjën shkolën në arbëreshë, të bënjën librat.  Kur yjnë  ka katundi është Benvenuti a Greci/ Mirë sa erdhët ndë Katund”.

Dy arbëreshët ngrejnë shqetësimin sesi emigrantët shqiptarë,  të ardhur pas viteve ’90 nuk u mësojnë fëmijëve gjuhën shqip. “Vijnë gjithë kta ka Albania kanë bilt nuk i folin, nuk dinë folin gjuhën,  nuk mësohen”.

Joe Dioguardi, Rita Perrilo, Joe Frascino

Dioguardi, vetë një arbëresh, por që prindërit nuk ia mësuan gjuhën ndërmend një këngë që e këndonte e gjyshja, Angjelina.

Oj ti Mari se do vish me ne

Se tata e mëma ka shumë hare.

Këto vargje u zgjojnë të tjera, dy arbëreshëve.

“Do të gjesh një që ësht’ kurioze, një poesia”, thotë Frascino

Bie shi, bie borë

Citavina  vu kurorë

Me bilt n’dorë

Duke qeshur shpjegon edhe kuptimin, sesi gruaja me emrin Citavina ishte martuar me dy fëmijë të jashtëligjshëm, ndërkohë.

Rita Perrilo di një version pak më të ndryshëm të kësaj vjershe të vjetër arbëreshe.

Na thomi:

Bie shi, bie borë

Tata vate ka një horë.

U këndohet fëmijëve, duke thënë sesi mes stinësh babai shëtiste nga një katund në tjetrin.

Joe Dioguardi thotë se në ShBA shpesh gjuhës arbëreshe i referohen si “Gjegjera”, duke e asociuar disi me gegërishten, ndonëse arbërishtja është e bazuar tek dialekti toskë.

“A di pse i thretin gjegjera in America? Se gjingjat kur flitnin i thojnë: Ti gjegja? Që do të thotë:  A dëgjove? Ma ndaj, i thonë gjegjera.  Na,   në katund mai i thomi gjegjera”.

Dioguardi thotë se kur vizitonte Greci-n, i kujtohet një kishë që i ngjante më shumë atyre ortodokse.

“Ma para kishmë një rit ortodos, dopo regji i tha të usojmë rito cattolico e kështu u buar.  E  kur martuan,  vunë kurorën sipër ka kocha, e nani dopo nuknë vunë ma”.

Edhe Frascino kujton se në katundin e tij, siç i rrëfente e ëma, përdorej riti bizantin. “osht si ortodoze,  priftët kanë mjekër, kur hijnë brënda këndojën, e venë gjithë si grëkët sot.  Moma  ime  e tata ime kur vunë kurorë, moma më thoni, kishin vellën, dopo pinë verët, shtinë krejt si ibrejët”.https://www.youtube.com/embed/o2T4ZS0SPp4?start=1894&feature=oembed

Rita Perillo thotë se riti deri diku përdoret edhe sot. “Ancora nani,  kur nusja del ka  kisha, venë ke i jëma i jati i nusit e pin verën  e dopo derdhnjën bichierin.”

Frascino kujton detajet të tjera. “Dopo kanë kanalinat për bilt e kur pagëzojën bilt prifti bën xhiro tri herë e dopo pshtyn m’trullt. E bojmë na hera, kishim kumarën atje”, thotë Frascino.

“Pur na kemi kumarën, na i thojmë ndrikulla”, plotëson  Rita Perillo.

Frascino rrëfente sesi i ruante lidhjet me të afërmit e tij arbëreshë në katund.

Kam nji kushëri, asht dottoressa, ke katundi ka shtëpi, por vete rri në Romë.  I  bëjëm telefoni e shumë herë folmi arbëresh , e di çmë tha, një ditëz shkoj? Sa mirë folinj arbëreshe!  Mo  mirë çe folim u, na e brujtëm ktu gluhën e andaj ka shumë fjalë taljane, ti folin aq mirë, jotë omën e mësonj mirë”, thotë Frascino, që ndonëse flet një gjuhë të  ruajtur nga kohërat, pa ndikimin e turqizmave apo huazimeve të tjera të më vona, mund të kuptohet fare mirë edhe nga brezat e rinj të shqiptarëve.

Frascino ishte frekuentues i një kishe  shqiptare në qytetin e tij në ShBA, ku mbante një klasë vallëzimi.

“Ata janë proprio hqiptar, janë modern, nuk flitnin gluha i vjetëri.  Kur vete ata din ça thom u, por asht tjetër gluhë. Nji  her ka muji kam një ballë atje, vijnë mose njëqind persona e lujin e hanë pinë, nuk janë arbëreshë”.

Rita Perrilo rrëfen sesi njerëzit nga katundi i saj ndihmuan emigrantët e parë shqiptarë në Itali pas viteve ’90.

“Kur erdhën të partët shqiptarë në Italia, sinku jonë vate atje  a Bari, e muar shumë gjingja e i pru ka hora jonë të rrijnë,  i dha shpin e i dhamë të vinë brenda ka shpia, i dhamë të ngrënt e i ndihmë. E  kshtu vate,  perche nuk kishin asgjë, ata patën të ikin ka komunizmi atje”.

Por edhe arbëreshët kanë emigruar nga fshatrat, duke e reduktuar ndjeshëm popullatën.

“Ka katundi ikinë  të gjithë, ke katundi Çifti la popolazione ishim mose 10 mijë e nani janë tetëqind”, i referohet popullsisë së Civita, Frascino.

“Ne ka para shumë vjet  që shkrujtën ishin tre mila, nani mbetën novecent’, e trimat e varzat ikni, venë ka jashtë vendat , atje nongë lavoro ku jemi na”.

Greci, ose Katundi arbëresh, në Itali.

Dioguardi thotë i mahnitur sesi gjuha është ruajtur për 600 vite dhe përjekjet e turqve, serbëve e grekëve nuk ia dolën ta asimilonin. “Kjo tregon sesa të lidhur ishin shqiptarët me tokën e tyre”, thotë Dioguardi, i cili në punën e tij është dedikuar shumë çështjes shqiptare e veçanërisht Kosovës.

“Gluha arbëresh, gluha shqiptar është mo plak se gjithë gluhët e tjeta, ama osht  gluha që e  mësuan gluht latine, rronjët e Arbrit. Osht’ gluha arbëresh, gjermanezët, skandinaviet , inglezat, gjithë fjalt’ vijnë ka gluha arbëreshë”, thotë Frascino, i cili kujdesej të blinte çdo lloj libri e fjalori të gjuhës arbëreshe. Ai thotë se shqiptarët arrijnë ta kuptojnë arbërishten, por e vështirë për arbëreshët të kuptojnë shqipen e sotme. Shpesh me shaka thonë se gjuha arbëreshe për shqiptarët, tingëllon si gjuha e Shekspirit për anglezët e sotëm.

“Ma nuk janë shumë që folin sot.  Ata  që vijnë ka Albania nuk i mësojën bilt t’folin.

Prifti  kur  erdh ka Jusova atje, i fola arbëreshë, ai më gjegj.  Më  foli: ti ku u ljeve? i thashë u ljeva ktu. E përqafti e m’puthi”, thotë Frascuno.

Rita Perillo përçon ndërkohë një mesazh, se nuk duhet të ketë ndarje “albanes” apo “arbëresh”.  “Jemi gjithë një, jemi gjaku i shprishur”.

YouTube player