Kundër dezinformatave/ Kosova ndalon transmetimet e mediave ruse
Agresioni rus në Ukrainë ka bërë që Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) të marrë vendim për largimin e përkohshëm nga transmetimi në Kosovë i të gjitha kanaleve me origjinë nga Federata Ruse.
Kjo me qëllim që qytetarët mos të bien pre e dezinformatave. E nga ky vendim janë larguar katër media ruse.
Kryeshefiekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Media, Faruk Rexhaj, në një intervistë për KosovaPress, tregon qëllimin e largimit e përkohshëm të kanaleve ruse nga transmetimi në vendin tonë.
“Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë një vendim me të cilin përkohësisht ka larguar të gjitha mediat ruse ose me origjinë ruse në të gjithë operatorët e shpërndarjes në vendin tonë. Bëhet fjalë për disa kanale ruse të cilat operojnë përmes operatorëve të shpërndarjes, është Russia Today, Russia Documentary, dhe dy kanale të tjera, por ajo që është me rëndësi se operatorët e shpërndarjes i janë përmbajtur vendimit të KPM-së dhe pothuajse të gjitha operatorët i kanë larguar këto media nga transmetimi i tyre, nga platformat e tyre”, tha Rexhaj.
Për vendimin e largimit të përkohshëm të transmetimit të mediave ruse, Rexhaj thotë se edhe vendet e Evropës kanë marrë një vendim të tillë.
“Së paku sa jemi njoftuar edhe ne nga mediat, siç duket ka edhe në Evropë ka shtete të cilat e kanë ndërmarrë këtë hap duke i larguar këto media nga transmetimi i tyre, mirëpo kryesisht ka ardhur si pasojë e luftës e cila është duke u zhvilluar në mes Rusisë dhe Ukrainës, është bërë në një formë dhe jemi duke marrë masa të nevojshme që të mbrohet siguria, rendi juridik në Kosovë që të mos ketë dezinformata të cilat mund të qojnë në prishjen e çfarëdo rendi apo diçka në vendin tonë, kjo është parandaluese gjithsesi është i përkohshëm dhe në asnjë formë nuk duhet të tingëllojë si ndalim i fjalës së lirë apo diçka e tillë, thjesht është një vendim i përkohshëm, të shohin ditëve në vazhdim se si janë duke rrjedhur gjërat dhe sa duhet të qëndrojë ky ligj në fuqi”, tha ai
Rexhaj për KosovaPress ka thënë se të gjitha mediat të cilat transmetohen në Kosovë janë të licencuara nga Komisioni i Pavarur i Mediave. /KP/
Rruga Press