Kukulla me veshjen e Hasit si mural nga artistja zvicerane
Ka tash e 2 vjet që Kosova është kthyer në vendbanim për artisten zvicerano-austriake.
E tash shumë qyteteve të Kosovës ngjyrë u japin edhe krijimet e saj artistike.
Muralet janë ato me të cilat e shpreh më së miri kreativitetin, e kukulla që është simbol i artistes, mbetet pjesë e pandashme e tyre.
Kjo kukull paraqitet edhe në një mural në qytetin e Prizrenit dhe veshur mban veshjet tradicionale të Hasit.
E realizuar me shumë përkushtim e detaje, vepra e artit është e ndarë në dy pjesë.
Atë me ngjyra dhe bardhë e zi si një gërshetim në mes së kaluarës dhe së tashmes.
“Unë kam bashkëpunuar për këtë realizim me organizatën ‘Q’art’, tani kanë filluar në projektin e ri që quhet ‘bone vendin tond’ e kjo është një vepër prej këtij projekti”, ka thënë Krystel Suire.
Marrë parasysh që vjen nga një vend me kulturë tjetër, ajo ka hulumtuar hollësisht për kulturën shqiptare, e cila thotë se i ka lënë shumë mbresa.
E këtë e tregon edhe fakti se krijime të tilla me motive kombëtare ka edhe në qytete të tjera në Kosovë e Shqipëri.
“Gjëja e parë është se unë jetoj në Kosovë për disa vjet, kjo më ndihmon shumë që ta njoh kulturën, e që ta di se ku t’i gjej informacionet”, shtoi ajo.
E arti në rrugë thotë se i ka mësuar një gjë shumë të rëndësishme.
Meqenëse është i ekspozuar ndaj kushteve atmosferike e ndërhyrjeve nga të tjerët, ajo është e vetëdijshme se nuk do t’i zgjasë përgjithmonë.
“Në fillim kur nuk je i mësuar me këtë gjë, të dhembë zemra pak, ke kaluar kohë për ta punuar e ke shpenzuar para për materiale e të duket e padrejtë”./kohanet/