Opinion/Aktualitet

Kujt i intereson t’i vërë flakë sërish, Ballkanit?

Nga Agim Nesho

Rusia ka kohë që po punon të kthehet në skenën botërore si fuqi kryesore ndërkombëtare. E pafuqishme për të arritur forcën ekonomike e financiare të ish-Bashkimit Sovjetik ajo po përpiqet me politikën e saj revizioniste të rindërtojë rendin ndërkombëtar të pas Luftës së Dytë Botërore dhe ta imponojë këtë ndryshim nëpërmjet përdorimit të forcës.

Ajo shfrytëzoi konjukturat e zhvillimeve në Lindjen e Mesme dhe tërheqjen e SHBA-së nga ky rajon për të treguar rikthimin e saj në skenën botërore. Por rikthimi në një rajon problematik mund të quhej edhe rastësi, prandaj ajo kërkon me insistim të tregojë forcën e saj në një rajon tjetër, në qendër të Europës, për të imponuar prezencën e saj.

Rikthimi i Rusisë në Ballkan është një rikthim i saj në zonat e influencës së shekullit të kaluar, ku ajo gjithmonë ka shfrytëzuar lidhjet tradicionale dhe kulturën sllave për të krijuar tension në këtë rajon.

Pavarësisht problemeve të saj ekonomike pas shpërbërjes së BRSS-së, ajo nuk harroi të mbante të forta lidhjet e saj me Serbinë, si dy kombet që u dënuan më tepër nga shpërbërja e federatave të tyre në vitet ’90. Për më tepër që lufta e dhimbshme dhe e përgjakur në ish-Jugosllavi, gjenocidi i ushtruar nga Serbia në Ballkan i siguron një aleat të nevojshëm, që me ndihmën e saj në Këshillin e Sigurimit, mund të siguronte influencën e saj të nevojshme pa shpenzime të tepërta.

E filluar si një marrëdhënie quad pro quo midis tyre, kjo influencë u rrit më tepër nga nevoja e nacionalistëve serbë për të mos pranuar zgjidhjen ndërkombëtare për çështjen e Kosovës.

Me kalimin e kohës dhe fuqizimin e Rusisë këto marrëdhënie interesi dhe ndihme u kthyen në marrëdhënie më të thella integruese dhe investime më të thella strategjike si në naftë, infrastrukturë, të cilat e vunë Serbinë në statusin natyral të një sateliti të Rusisë në Ballkan.

Serbia kërkonte të rikthente statusin e saj të dominancës në Ballkanin Perëndimor ndërsa Rusia kërkonte një zgjidhje të re gjeopolitike për rajonin e Ballkanit, ku ajo do të vendoste si e barabartë me fuqitë e tjera perëndimore. Ky ‘pazar politik’ do ta kthente atë në një pozitë të barabartë me kundërshtarët e saj perëndimorë, të cilët kishin shtrirë influencat e tyre në zonat e saj të influencës strategjike si në Ukrainë, Gjeorgji, etj.

Realizimi i kësaj strategjie filloi atëherë kur perëndimi po konsumonte më shumë kohë me vetveten, ku globalizimit po i kundërvihej identiteti kombëtar kur Europa po vuante nga kriza e saj financiare dhe e emigracionit dhe Brexit ishte një prelud për shpërbërjen e BE-së.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

Projekti që do të mundësonte këtë skenar ishte projekti i ndryshimit të kufijve në Ballkan, një projekt anti-europian i bazuar në krijimin e shteteve në linja të pastra etnike duke ju kundërvënë hapur rrugës perëndimore të shteteve të lira, demokratike e multi-etnike në rajon.

Projekti u shit si projekt i vetëdakordësuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor për paqe dhe stabilitet, por që në fakt do të hapte Kutinë e Pandorës dhe do të rindizte konfliktin etnik dhe krizën në Ballkan.

Ky projekt mundësonte krijimin e shteteve të mëdha të Ballkanit dhe vinte në rrezik ekzistencën e Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.

Prishja e këtij projekti të vetofruar nga Vuçiç – Rama – Thaçi ishte një fitore e madhe e demokracive perëndimore dhe Gjermanisë që me largpamësi pa perspektivën ballkanike në rrezik. Por ndërsa projekti i ndryshimit të kufijve u zëvendësua me Ballkanin e Hapur, një projekt tjetër për të siguruar dominimin e Serbisë në rajon, frika për ndryshim dhe zgjidhje të imponuara, zgjoi ndërgjegjen e kombeve ballkanike.

Kjo frikë u shtua kur politikat revizioniste të Rusisë dhe Serbisë filluan të lëvizin në mënyrë aktive në gjithë rajonin:

në Bosnjë-Hercegovinë me Republika Srpska dhe tendencat e saj separatiste, ku përfshihen edhe forcat Wagner të ardhura nga Rusia;

në Mal të Zi ku u tentua të rrëzohej qeveria pro-perëndimore;

në Maqedoninë e Veriut për ta destabilizuar dhe Kosovë duke e trajtuar atë si pjesë e një skenari të ‘konfliktit të ngrirë’.

Me rritjen e presionit të Rusisë ndaj NATO-s dhe Perëndimit për një arkitekturë të re të Europës, Serbët ‘shpërthyen’ në mbrojtje të hapësirave serbe në Ballkan.

Ndërsa Serbia kërkon të arrijë dominimin serb në rajon, qëllimet e Rusisë janë ta mbajë Ballkanin Perëndimor një zonë të paangazhuar ku influenca ruse të jetë prezente, të thyejë arkitekturën e sigurisë në Ballkan duke tensionuar Bosnjë-Hercegovinën, mos njohur Kosovën, por edhe destabilizuar Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Destabilizimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut janë sot prioritet i politikës serbo-ruse duke qenë prezente si nga jashtë ashtu edhe nga brenda Ballkanit Perëndimor.

Nga jashtë me politikat ruse të presionit, dizinformimit, spiunazhit e deri në politikat e vaksinimit, grurit dhe naftës me cmime prioritare në kushtet e embargos, etj.

Nga brenda, Serbisë i nevojitet ringritja e tensionit në rajon për ta përdorur si për realizimin e projekteve të saj dhe si për t’i përdorur këto tensione për të treguar se janë pikërisht ata që sigurojnë stabilitetin dhe paqen ballkanike.

Lexo më shumë  Rritja e autoritarizmit të pushtetit në Shqipëri dhe tiktok-u

Për të treguar që ata nuk janë destabilizues por punojnë për paqen në rajon, serbët kanë arritur të mbështeten nga liderë aventurierë ballkanikë si Dodik e Rama ose karrieristë pa shtyllë kurrizore si Abazoviç që ndezin tensionet. Duke i premtuar Ramës, realizimin e Shqipërisë së Madhe (duke ndarë Kosovën dhe mos njohur sovranitetin e saj) e shtynë atë për një rol më të madh të tij në hapësirat shqiptare të Ballkanit.

Kështu shpjegohet ‘nacionalizmi’ i Ramës në deklaratën për bashkim kombëtar nga Ulqini, deklaratën për një president të përbashkët Shqipëri – Kosovë në Parlamentin e Kosovës, Protokolli i Tiranës me partitë shqiptare në Maqedoni si dhe shumë veprime të tjera të pajustifikueshme që tregojnë patronazhimin e faktorit shqiptar nën emrin e ‘patriotizmit’.

Ishte pikërisht Rama në takimin e Selanikut ku përdori thënien ‘Bullgaria Perëndimore’ për Maqedoninë e Veriut që çoi në shpërthimin e protestave popullore në Maqedoni, ku çështja e nxehtë me Bullgarin është prezente.

Serbia dhe Rusia janë fuqitë që përfitojnë nga destabilizimi i Maqedonisë së Veriut por duan ta realizojnë me duart e shqiptarëve dhe nacionalistëve bullgarë pro-rusë.

Shpërbërja e Maqedonisë së Veriut do t’i mundësojë Vuçiç, rikthimin e projektit për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan me ndarjen e re të kufijve.

Rritja e tensioneve në Ballkanin Perëndimor sot nuk bëhet vetëm nga fuqitë revizioniste anti-europiane por edhe nga vetë liderët autokratë ballkanikë të cilët shikojnë vetëm ruajtjen e regjimeve të tyre sesa interesat e gjera të Perëndimit si dhe ruajtjen e kompaktësisë gjeopolitike të Europës.

Politika e SHBA-së dhe BE-së duhet të kuptojë që gjërat kanë evoluar në drejtim të kundërt në Ballkanin Perëndimor dhe është naivitet të besosh në skemat e vjetra se Rama dhe Vuçiç janë faktorët stabilizues në rajon.

Sado të forta të jenë për ta përkrahja nga organizata të ndryshme për projektet e tyre, si Ballkani i Hapur, situata në rajon është përkeqësuar sidomos nga influenca ruse, kineze por edhe nga autoritarizmi që po i mbyt demokracitë e reja ballkanike dhe po i kthen regjimet e sotme në regjime putineske.

Korrigjimi i kësaj politike vjen në radhë të parë në nevojën e rikthimit të shtetit ligjor dhe demokracisë funksionale.

Frika për humbjen e liderëve autokratë klientelistë është një frikë e pabazuar se lidershipi i ri do të bashkëpunojë më ngushtë me ju dhe do vlerësojnë dhe mbrojnë vlerat dhe parimet perëndimore.

Përkrahja për demokraci në Ballkanin Perëndimor do t’ju kthejë një përkrahje të gjerë popullore.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *