Opinion/Aktualitet

Ku mbeti minoriteti shqiptar i Greqisë?

Greqia përmes dy traktateve ka njohur praninë e minoritetit shqiptar në Greqi.

Shkruan Ismajl Kurteshi

Me rastin e javës kushtuar Çamërisë, gjatë këtyre ditëve (gusht 2023) në Tiranë, ku bëhet fjalë për gjenocidin e Greqisë mbi popullatën shqiptare në trojet e veta në Çamëri, më duket e arsyeshme të prezantohet një fragment nga libri “Jo plebishit Venizellist” të autorit Abdi Baleta, ku argumentohet jo vetëm ekzistenca e shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Greqi, por edhe pranimi i ekzistencës së tyre nga ana e Greqisë, në dy dokumente zyrtare (ndërkombëtare), të prezantuara në këtë libër. 

Derisa tani, në shekullin XXl, kur Greqia është pjesë e Bashkimit Evropian, ku promovohen të drejtat e njeriut dhe komuniteteve, më shumë se kudo tjetër në botë, Greqia e mohon ekzistencën e shqiptarëve etnikë në Greqi. Nuk pranon të diskutojë për çështjen çame e në anën tjetër investon shumë që sa më shumë shqiptarë t’i konvertojë në grekë. Dallime kaq të mëdha në politikat e anëtarëve të të njëjtit bashkim të shteteve nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet as në BE-në e njohur për liberalizmin e saj të skajshëm.

Është mirë që për çështjen e shqiptarëve të Greqisë po diskutohet në Tiranë, por Shqipëria nuk duhet të ndalet këtu. Politika shqiptare duhet të insistojë në hapjen e debatit për mohimin e të drejtave të shqiptarëve autokton në Greqi dhe presionin grek, me qëllim të konvertimit të shqiptarëve në grekë, përmes institucioneve të shtetit dhe kishës ortodokse të udhëhequr nga një prift grek që më shumë merret me politikë se sa me çështje religjioni.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Është në interesin e Shqipërisë që t’i ruajë marrëdhëniet e mira me Greqinë, por një gjë e tillë nuk bën të ndodhë në kurriz të shqiptarëve autoktonë të Greqisë, siç nuk duhet të heshtet as për mohimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi e gjetiu.

Abdi Baleta JO PLEBISHITI VENIZELLIST “ faqe 33. …Kur u krijua sistemi i Lidhjes së Kombeve për mbrojtjen e minoriteteve me rrjetin e Traktateve të Sevrës midis disa shteteve dhe Lidhjes së Kombeve në vitet 1919–1921 edhe Greqia nënshkroi një traktat për mbrojtjen e minoriteteve në territorin e saj. Me këtë traktat, Greqia ka njohur praninë e minoritetit shqiptar në Greqi. Greqia ka njohur për së dyti praninë e minoritetit shqiptar edhe kur u bënë Marrëveshjet e Lozanës për këmbimin e popullsive ortodokse greke e myslimane turke në mes të Greqisë dhe Turqisë në vitin 1923. Në atë kohë myslimanët shqiptarë që banonin në trojet e tyre në Greqi u përjashtuan nga këmbimi pikërisht se ishin shqiptarë e jo turq.

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Për pasojë, Greqia ka detyrimin të shpjegojë se ku e çoi minoritetin shqiptar, meqenëse tani thotë se një i tillë nuk ekziston më në Greqi! Nëse vërtet nuk ka më një minoritet të tillë në Greqi, atëherë do thotë se e ka zhdukur, pra ka bërë gjenocid. …” 

Kurse shkrimtari, Petro Marko, në lidhje me shqiptarët që kanë jetuar dem baba dem në trojet e tyre etnike e ku jetojnë edhe sot, thotë: “… Siç duket që nga viti 1820 e tëhu, greqizimi u bë me qëllime politike nga vetë Greqia, që fitoi lirin me gjakun e shqiptarëve, qoftë në Mesolongji, qoftë në revolucionin grek. Suli dhe Himara ishin shqiptare, po dy krahina autonome që nuk njihnin as Greqinë as Shqipërinë. …

Greqia deshi apo nuk deshi duhet ta pranojë se minoriteti shqiptar ekziston në Greqi dhe se atij duhet t’i njihet e drejta që i takon bazuar në konventën e OKB-së mbi të drejtat e komuniteteve pakicë.

Rruga Press

YouTube player