Kryqi i Kuq do të tentojë sërish të shtunën evakuimin nga Mariupoli
Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) do të ripërsërisë sot përpjekjet për të evakuuar banorët nga qyteti i shkatërruar i Mariupolit, raporton BBC të shtunën.
Grupit humanitar iu desh të anulonte përpjekjet e tij të shpëtimit të premten pasi “kushtet e pamundësuan” vazhdimin e kolonës së tyre.
Grupi kishte planifikuar të dërgonte 54 autobusë dhe shumë vetura private për të ndihmuar në evakuimin e mijëra njerëzve që të largoheshin nga qyteti – i cili është rrethuar nga trupat ruse dhe ka parë bombardimet më intensive.
Një zëdhënës i Kryqit të Kuq ka thënë të premten se ata nuk kishin marrë garanci se rruga që do të ndiqnin do të ishte e sigurt, kështu që ishin tërhequr në Zaporizhzhia.
“Ata do të përpiqen përsëri të shtunën për të lehtësuar kalimin e sigurt të civilëve nga Mariupol. Por është kritike që palët të respektojnë marrëveshjet dhe të ofrojnë kushtet e nevojshme dhe garancitë e sigurisë”, ka thënë zëdhënësi.
Ka pasur disa përpjekje evakuimi në muajin e kaluar, të cilat gjithashtu dështuan ose u anuluan. Ukraina e ka akuzuar Rusinë se ka sulmuar civilët që ikin në disa raste – diçka që Moska e ka mohuar.
Rreth 160,000 njerëz mbeten të bllokuar në Mariupol – ku u mungon ushqimi, uji, ilaçet dhe energjia elektrike.
Ndërkohë, të paktën 5,000 banorë janë vrarë deri më tani në sulmet, thonë zyrtarët lokalë.
Rruga Press