KryesoreLajme

Kryeziu: Pretendimet për lidhje me Zyrën e Kryeministrit janë të pavërteta, pjesë e aktivitetit të spiunazhit serb

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas pretendimeve se një shtetase serbe nga Mitrovica, me inicialet A.M., e arrestuar së fundmi nga autoritetet kroate për dyshime spiunazhi në favor të Serbisë, ka pasur lidhje me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Kryeziu ka sqaruar se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e të emëruarve politikë, ndërsa qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale është e kufizuar rreptësisht. Ai hodhi poshtë kategorikisht pretendimet se e dyshuara ka pasur mundësi të sigurojë të dhëna konfidenciale nga kjo zyrë.

Sipas tij, Serbia ka intensifikuar aktivitetet e saj të spiunazhit pas humbjes së kontrollit në veri të Kosovës përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq. Kryeziu përkujtoi rastet e fundit të arrestimeve në Kosovë, përfshirë një toger të Policisë së Kosovës në korrik dhe një punonjëse të misionit të OSBE-së në shkurt, të dyshuar për spiunazh në shërbim të agjencisë serbe të inteligjencës (BIA).

Ai theksoi se institucionet e sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës po punojnë me vigjilencë të lartë për t’iu kundërvënë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë. Ndërkohë, autoritetet kosovare janë shprehur të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e Kroacisë për hetimet e mëtejshme mbi veprimtarinë e A.M., shtetasit kroat të arrestuar dhe rrjetin e tyre të dyshuar spiunazhi.

Lexo më shumë  Ahmetaj: Aferë korruptive në Porto Romano, Shqiperia rrezikon të mbetet pa port

Statusi i plotë më poshtë:

Në lidhje me pretendimet se personi me inicialet A.M., serbe nga Mitrovica, e cila është arrestuar nga autoritetet kroate për dyshime për spiunazh për Serbinë, ka pasur lidhje edhe me Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, në krye të herës duam ta bëjmë të qartë për publikun se Zyra e Kryeministrit përbëhet nga stafi civil i përhershëm dhe kabinetet e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave të cilat përbëhen nga të emëruar politikë. Më tej, duam të theksojmë se qasja në informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit është strikt e kufizuar.

Andaj ne hedhim poshtë çdo pretendim se personi në fjalë mund të ketë siguruar informacione të rëndësishme dhe konfidenciale të Zyrës së Kryeministrit.

Viteve të fundit, si pasojë e humbjes së kontrollit në veri përmes rrjetit kriminal të udhëhequr nga Millan Radojiçiq, Serbia ka rritur aktivitetet e spiunazhit dhe ne vazhdimisht kemi ngritur në publik shqetësimet tona mbi aktivitetet e inteligjencës serbe në territorin e Republikës së Kosovës. Ju kujtojmë se në muajin korrik një toger i Policisë së Kosovës, i etnisë serbe, ishte arrestuar mbi dyshime të bazuara për veprimtari spiunazhi në Republikën e Kosovës, për interesa të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), me synim rrezikimin e sigurisë në përgjithësi dhe operacionet e Policisë së Kosovës në veçanti. Kurse në shkurt ishte arrestuar një person tjetër mbi dyshime për spiunazh, po ashtu e etnisë serbe, e cila punonte në misionin e OSBE-së në Kosovë. Institucionet tona të sigurisë dhe inteligjencës po punojnë në vazhdimësi e me vigjilencë të lartë, dhe suksesshëm po i kundërvihen përpjekjeve të dashakeqe dhe destabilizuese të Serbisë në Kosovë.

Lexo më shumë  Dosja AKSHI/ Ahmetaj nxjerr listën me kompanitë afër Ramës që nuk paguajnë taksa

Duke qenë se veprimtaria e A.M. dhe shtetasit kroat, të dy të arrestuar në Kroaci, është zhvilluar në Kosovë, institucionet tona janë në gatishmëri të plotë që të bashkëpunojnë me institucionet e Kroacisë për zhvillimin e mëtejmë të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të aktiviteteve dhe rrjetit të veprimit.

YouTube player