Kryeziu: Nëse pranohet oferta e Gërvallës, e zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se premtimi që ka dhënë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në letrën drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, është ripërtëritje e premtimeve që ka dhënë kryeministrit Albin Kurti më herët.
Ai ka vlerësuar se nëse oferta e Gërvallës pranohet, atëherë Qeveria është e gatshme ta zbatojë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazë.
“Të shohim a do pranohet për herën e tretë. Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një ofertë të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”.
Sipas tij Kurti premtimin e njëjtë e ka dhënë më 18 mars e 2 maj të vitit të kaluar.
“Premtimi i zëvendëskryeministres Donika Gërvalla-Schwarz në letrën dërguar Byrosë së Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023)”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.
Sipas tij oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht “I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023”, ka shkruar Kryeziu.
Oferta e dytë ai ka thënë se ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili, sipas tij, është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti, Kryeziu ka thënë se janë refuzuar.
Rruga Press