Lajme

Kryeziu: Letra dërguar SHBA-së e BE-së ka filluar të ketë impakt

Letra e dërguar shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken dhe atij britanik James Cleverly, nga politikanë nga Evropa e SHBA-ja, duke kërkuar një distancim nga pala serbe, veçse ka filluar të ketë ndikimin e saj, ka vlerësuar deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni.

Në një lidhje direkte në “FIVE” të RTV Dukagjini, kjo e fundit ka vlerësuar se letra e dërguar SHBA-së e BE-së tregon se Kosova ishte në një rrugë të duhur.

“Mendoj se ka qenë një kthesë jashtëzakonisht shumë e madhe e zhvillimeve që së fundmi janë lidhur me çështjen e dialogut dhe pikërisht me qasjen që ka kohë që e themi se ka qenë e pabarabartë ndaj Republikës së Kosovës, pra për gjithçka që lidhet me zhvillimet për dialogun dhe vetadresimi i një numri të kryetarëve të komisioneve për politikë të jashtme, përfshirë edhe deputetë të ndryshëm, të cilët i janë bashkëngjitur kësaj shkrese, tregon që ne kemi qenë në rrugën e duhur, kemi bërë veprimet e duhura dhe duke bërë thirrjet e duhura për çka ndoshta jo shumë herë kemi pasur përkrahjen edhe të aspekteve të tjera të politikës në vendin tonë”, ka deklaruar Kryeziu.

Lexo më shumë  Gurthemel i sallës sportive dhe renovim i çerdhes në komunën e Shtimes

“Unë besoj që veçse ka filluar të ketë impaktin e vet, sepse nënshkrues dhe iniciues të kësaj deklarate të përbashkët janë persona të cilët kanë ndikim të jashtëzakonshëm në politikën e  jashtme dhe jo vetëm të BE-së, por të shteteve përtej… është një numër i nënshkruesve që kanë ndikim shumë të madh në politikëne jashtme. Kjo shkresë ka qenë një ftesë e nevojshme dhe shumë e rëndësishme për Kosovën për çka unë i jam falënderues secilit prej tyre”.

Tutje, deputetja Kryeziu-Hyseni ka thënë se dërgimi i kësaj letre erdhi në një moment të duhur, duke i paraprirë rinisjes së procesit të dialogut Kosovë-Serbi në shtator. E njëjta theksoi se tashmë masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të duhej të largoheshin.

“Mendoj që ky ka qenë një mendim dhe veprim i jashtëzakonshëm i gjithë këtyre nënshkruesve dhe iniciuesve të kësaj deklarate të përbashkët që vjen në një kohë të rëndësishme për vendin tonë, sepse siç e dimë, prej shtatorit pritet t’i kthehemi dialogut…”, ka deklaruar Kryeziu gjersa ka theksuar se “Gjithmonë kam menduar se ka qenë e padrejtë fakti që na janë vendosur masa, me ç’rast tani nuk ka asnjë kuptim që nuk do të jenë në fuqi. Shpresoj që BE do të gjejë momentin e duhur t’i heqë ato”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti në Davos me homologun lituanez, diskuton për mundësitë e rritjes së investimeve në sektorin e energjisë

Më 7 gusht, një letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken dhe atij britanik James Cleverly, nga politikanë nga Evropa e SHBA-ja, duke kërkuar një distancim nga pala serbe.

Siç raporton Tagesspiegel, politikanët e huaj kanë kërkuar nga BE-ja e SHBA-ja më shumë distancë nga Serbia dhe të merren më në mënyrë kritike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Letra u mirëprit edhe nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Ai falënderoi të gjithë politikanët pjesëmarrës.

Rruga Press

YouTube player