Kryeziu: Konsistenca e Kurtit shpërfaqi fytyrën e vërtetë të Vuçiqit
Taulant Kryeziu, ish –zëvendësministër i Integrimeve Evropiane ka deklaruar se konsistenca e kryeministrit, Albin Kurti në procesin e dialogut me Serbinë, ka shpërfaqë fytyrën e vërtetë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
I ftuar në emisionin “InfoNata”, Kryeziu theksoi se Vuçiq nuk është i interesuar për të drejtat e serbëve lokal, por sipas tij, ai është i interesuar për aneksim të Kosovës.
“Sulmi terrorist dhe agresioni që bëri Serbia në pjesën veriore të Kosovës, ishte shkelje flagrante e nenit 3 të marrëveshjes, ku po cenohej sovraniteti, integriteti territorial, po cenohej Kushtetuta e Kosovës. Pra ishte një shuplakë fytyrës dhe unë e thash që konsistenca e Kurtit shpërfaqi fytyrën e vërtetë të Vuçiqit karshi botës perëndimore, se ai nuk është i interesuar për të drejtat e serbëve lokalë në Kosovë, por ai është i interesuar për territor, ai është i interesuar për trazira në atë pjesë. Ai ishte i interesuar jo vetëm për aneksim vetëm të veriut, por të gjithë Kosovës”, tha ai.
Kjo sipas Kryeziut, “po shihet edhe në takimin e fundit edhe në letrën që i kanë lëshu presidenti Macron, Scholz dhe Meloni. Bëhet e qartë, të dy palët në një proces të dialogimit nuk mund të maksimalizojnë qëndrimet e tyre, ajo është e kuptueshme. As Kosova nuk mund ta arrijë 100 për qindshin e saj, por edhe pala tjetër duhet me dhanë atë që po kërkohet tanimë nga ndërmjetësit, Serbia duhet të shkojë drejtë njohjes de facto”, shtoi ai.