Kryetari Rama shkel Ligjin për Kryeqytetin
Arkitekti Arbër Sadiki kryeson listën e drejtorëve të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Ai në këtë pozitë u ftua si ekspert i pavarur për të udhëhequr Drejtorinë e Urbanizmit.
Sadiki ka thënë se është emëruar direkt nga Rama dhe nuk ka të bëjë asgjë me LDK-në.
Mimoza Sylejmani, nga Zyra e regjenerimit urban në kohën e shpend Ahmetit, angazhimin e saj do ta vazhdojë si drejtoreshë e planifikimit.
Edhe ajo ka thënë se është ftuar direkt nga Rama duke mohuar ndikimin e lidhjeve familjare me zyrtarë të LDK-së.
Punën do ta vazhdojë edhe Valbona Makolli, kësaj radhe si e pavarur e në krye të Drejtorisë së Financave.
Rama në mesin e profesionistëve jopartiakë ka ftuar edhe vajzën e Anton Çettës, Donika, për të udhëhequr Drejtorinë e Parqeve.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, është në mesin e emërimeve politike. Ai ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për këtë pozitë.
Me vetëm 1 votë në Kuvendin Komunal, Lëvizja për Bashkim ka arritur që të marrë Drejtorinë e Mirëqenies Sociale.
Ish-nënkryetari Muhedin Nushi është këshilltari i parë i publikuar nga Rama.
Është Ligji për Kryeqytetin, në nenin 15, që u dedikohet nënkryetarëve dhe stafit mbështetës që specifikon se kryetari i Prishtinës ka të drejtë të emërojë deri në 5 këshilltarë.
Përveç Nushit dhe 7 këshilltarëve të tjerë të publikuar, në zyrat e Komunës si këshilltar i tetë po sillet edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.
Ministria e Pushtetit Lokal ka konfirmuar shkeljet ligjore, derisa ka thënë se do të presin që të marrin vendimin e kryetarit për të vazhduar tutje.
“Ligji nr. 06/l-012 për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinë, neni 15, paragrafi 3, ka paraparë që kryetari mund të emërojë deri në pesë (5) këshilltarë, të cilët e këshillojnë në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, të cilët i emëron dhe i shkarkon kryetari. Ne presim vendimin nga Komuna e Prishtinës dhe pastaj do të veprojmë në bazë të dispozitave ligjore siç e parasheh ligji”, thuhet në përgjigjen e MPL-së.
Me ligj Rama ka të drejtë të emërojë edhe një nënkryetar përveç Alban Zogajt, i cili tashmë ka marrë këtë pozitë.
Bisedimet me PDK-në po zvarriten për shkak të emrit për nënkryetarin dhe të dyja partitë po vazhdojnë takimet për të finalizuar marrëveshjen. Ato pritet të vazhdojnë javën tjetër, kur Rama të kthehet nga vizita në Londër, ku po feston ditëlindjen bashkë me familjen e tij.
Kësaj partie i mbesin disa drejtori, sikurse ajo e Arsimit dhe e Shërbimeve Publike.
Rruga Press