Kryenin blerje online me karta të vjedhura, arrestohen dy gra në Tiranë
Përdornin të dhënat e kartave bankare, të vjedhura nga shtetas të huaj ose jashtë Shqipërisë, për të kryer blerje të kushtueshme online. Për këtë arsyeje një 33-vjeçare dhe bashkëpunëtorja e saj, të dyja banuese në kryeqytet, janë arrestuar në flagrancë nga forcat e rendit.
Arrestimi u mundësua nga një kallëzim i kryer nga një kompani telefonike, por rezulton që dy të arrestuarat, 33-vjeçarja me inicialet J.M dhe bashkëpunëtorja 35-vjeçare, me inicialet M.M, kishin kryer blerje edhe në dyqane të tjera online, për një shumë që shkon deri në 1 milion e 700 mijë lekë.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
Rruga Press