KryesoreLajme

Kryeministria në Kosovë dhe Presidenca në Shqipëri përgënjeshtrojnë Blendi Fevziun në lidhje me komunikimin midis liderëve

Gazetari Blendi Fevziu tha për median “Nacionale” se ka informacione të detajuara mbi marrëdhënien e dy kryeministrave shqiptarë, Edi Ramës dhe Albin Kurtit.

Sipas Fevziut, prej një kohë të gjatë Rama dhe Kurti nuk kanë as komunikim me njëri-tjertin.

Madje ata, po sipas gazetarit, nuk kanë komunikuar as pas sulmit terrorist në Banjskë në Veri të Kosovës.

Fevziu pretendoi se Kurti nuk ia hap telefonin më as Ramës dhe as presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

E karvanit të kësaj deklarate iu bashkuan edhe disa media në Kosovë dhe Shqipëri.

Por në një përgjigje për Syri.net, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar se ura e komunikimit me liderët shqiptar është e mirë dhe se kanë bashkëpunim të dyanshëm.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

“Pretendimet e raportuara në disa media në Shqipëri në lidhje me komunikimin e kryeministrit Kurti me krerët e shtetit shqiptar nuk janë të vërteta.

Komunikimi ynë institucional është i rregullt. Së fundmi, Presidenti Begaj ka qenë mysafir i veçantë i Republikës së Kosovës dhe i Kryeministrit Kurti në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës në qershor të këtij viti. I ftuar ka qenë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Rama. Marrëdhëniet ndërshtetërore maten nga bashkëpunimi ndërshtetëror në fusha me interes të përbashkët për qytetarët në të dy republikat tona. Duke pasur këtë për qëllim, ndër të tjera kemi shtuar bashkëpunimin në energji me përurimin e bursës shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, kemi funskionalizuar 26 vendkalime të veçanta kufitare për zonën kufitare me mbi 200 mijë banorë, në vitin e 2023 Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar, e unifikuam abetare dhe bashkë filluam punë për Enciklopedinë Shqiptare”, shprehet Kryeziu për Syrin.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Në anën tjetër është edhe Zyra e Shtypit të Presidentit Begaj  tha se, “kreu i shtetit ka mbajtur që prej ditës së parë të marrjes së detyrës, kontakte të ngushta, të vazhdueshme dhe konstruktive me drejtuesit e Republikës së Kosovës, në çdo situatë, në çdo kohë dhe në mënyrë të veçantë, me Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti”.

“Republika e Kosovës, shqiptarët në troje dhe më gjerë si edhe drejtuesit politikë të tyre, janë dhe kanë qenë prioritet i Presidentit që prej ditës së parë në këtë detyrë”, shtoi Zyra e Shtypit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Rruga Press

YouTube player