Kryeministri ukrainas: Ukraina e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal tha se ata janë të vendosur të vazhdojnë bashkëpunimin me SHBA-në dhe se kanë besim se mbështetja e Washingtonit do të vazhdojë.
Shmyhal në një konferencë për media në Kiev lidhur me pezullimin e ndihmës së SHBA-së në armatime për Ukrainën, tha se nuk ka marrë ende informacion të tillë nga Ministria ukrainase e Mbrojtjes.
Ai vuri në dukje se sipas informacioneve të marra deri në mbrëmjen e djeshme, ndihma me armë ka vazhduar dhe po vazhdon. “Mbështetja e SHBA-së është jashtëzakonisht e rëndësishme për Ukrainën”, tha Shmyhal duke shtuar se do të vazhdojnë të punojnë me Washingtonin për vazhdimin e mbështetjes në fjalë.
“Sot, Ukraina është absolutisht e vendosur në çështjen për të vazhduar bashkëpunimin me SHBA-në dhe kam besim se do të vazhdojë mbështetja e SHBA-së, liderit botëror dhe një prej partnerëve tanë më të mëdhenj që na ka mbështetur për tre vjet”, potencoi Shmyhal.
Duke shprehur besimin e tij se presidenti i SHBA-së, Donald Trump me të vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës, Shmyal mbrojti idenë se Ukraina duhet “të luajë rol vendimtar” në këtë proces.
Shmigal tha se nëse SHBA-ja ndërpret ndihmën për Ukrainën, ata mund të kenë probleme veçanërisht me raketat e sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot”. “Ka rrezik të tillë dhe mendoj se së bashku me SHBA-në dhe partnerët e tjerë do të gjejmë një mënyrë për të parandaluar shfaqjen e këtij rreziku”, tha ai.
Kryeministri ukrainas tha se janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje me SHBA-në për bashkëpunim në lidhje me elementët e rralla të tokës që posedon Ukraina dhe se presin “përgjigje diplomatike” nga SHBA-ja në këtë drejtim.
“Sigurisht, ne duam garanci të caktuara sigurie nga SHBA-ja, Evropa dhe vendet e G7”, tha Shmihal.
Rruga Press